”Është e vonuar dhe e paplotë”, Sveçla: Aktakuza për Banjskën e anashkalon përgjegjësinë e shtetit të Serbisë
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla thotë se aktakuza e Prokurorisë Speciale për rastin e sulmit terrorist në Banjskë, është e vonuar dhe e paplotë. Për të ajo nuk përfshin disa komandantë të ushtrisë serbe, të cilët kanë mundësuar trajnimin e grupit terrorist, por edhe e kanë furnizuar atë me armatimin ushtarak, të cilin forcat e sigurisë së Kosovës e kanë sekuestruar në Banjskë.
“Ne kemi dëshmi të padiskutueshme se ky grup terrorist ka mbajtur ushtrime ushtarake në Pasulanske Livade, që është një kazermë zyrtare e ushtrisë së Serbisë, ku presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç shkon pothuajse çdo muaj dhe mbikëqyr trajnime të ndryshme të pjesëtarëve të njësiteve të ndryshme të ushtrisë apo policisë”, deklaroi Sveçla.
Më 24 shtator të vitit të kaluar, grupi terrorist i drejtuar nga ish/nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç sulmoi policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.