Familja katolike e Gjakovës, shtron iftar për hoxhën nga Drenica

Jo rastësisht thuhet se Kosova është shembull i tolerancës dhe respektimit të ndërsjelltë të feve.

Ku ka shembull më të mirë, si ky që ka ndodhë sonte në Bec të Gjakovës, që e ilustoron raportet e mira që kanë mes vete myslimanëve dhe katolikëve. Marian Ndoja nga fshati Bec ka ftuar për iftar imamin e xhmisë së Drenasit, Osman Musliun.

Hoxha nga Drenica ka treguar për këtë akt që ai në radhë të parë e quan vëllazëror.

“Sot jam mysafir në iftar tek i nderuar dhe shume i respektuari Marian Ndoja nga fshati BEC Komuna e Gjakovës njëherit Drejtori i shkollës së fshatit, mik i imi dhe familjes time. Është i besimit katolik por me të cilët kemi jetuar me shekuj në respekt reciprok dhe mbajtur lidhjet vëllazërore. Ata te cilët fenë dhe besimin e kanë me bindje e përkushtim, dhe jo për para, interes apo kontrabandim jetojnë kësisoj pa asnjë problem. Shpresoj që të na shtohet numri i besimtarëve të sinqertë dhe mos të biem në grackën e atyre që fenë e kanë bërë para apo biznes …!? Për ata që kohet e fundit mundohen me mish e shpirt të na ndajnë në baza fetare kjo është një përgjigjeje. Edhe pas këtij iftari Mariani mbetet katolik e unë mbetem musliman por vëllezër të vërtetë. Ndërsa respekti ndërmjet nesh është shtuar dhe vazhdon. Shpresoj që kjo traditë e tolerancës të vazhdohet edhe nga gjeneratat e reja në të ardhmen… Respekt dhe nderim për familjen NDOJA, Zoti ju nderoftë.!”, shkruan Musliu në Facebook.

SHKARKO APP