Fati i Albin Kurtit, Rexhaj: Nëse Kushtetuesja merr vendim ndryshe nga ai i VLAN-it, Vetëvendosja s’do ta respektojë
Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Arbër Rexhaj është i bindur se vendimi për dekretin e presidentit duhet të jetë i njëjtë me atë që gjykata kishte marrë në kohën e LAN-it, përkatësisht VLAN-it, në vitin 2014.
“Një rast të tillë, pra të Gjykatës Kushtetuese, e kemi pasë në kohën e LAN-it përkatësisht VLAN-it pak më vonë kur Gjykata Kushtetuese pati thënë decidivisht që subjekti i parë – fitues relativ – e fiton Kryetarin e Kuvendit dhe ka të drejtë ta formojë qeverinë”.
“Ne si Lëvizje Vetëvendosje presim që Gjykata Kushtetuese e Kosovës të vendosë në raport me atë se çfarë ka vendosur më parë – do të thotë që Lëvizja Vetëvendosje e ka të drejtën që ta bëjë qeverinë. Në ndërkohë, ne kemi insistuar në zgjedhje për shkak që kemi pasë mocion i cili e ka rrëzuar qeverinë. Në momentin kur një mocion e rrëzon qeverinë, atëherë vendi ynë duhet të shkojë në zgjedhje. Kemi shembuj kur presidenti e ka dërguar vendin menjëherë në zgjedhje”, ka thënë Rexhaj, në Info Magazine të Klan Kosovës.
“Ne presim që Gjykata Kushtetuese ta rithotë fjalën e vet të cilën e ka thënë në kohën e VLAN-it, pra ta thotë vendimin e vet jo në favor tonin, por atë që e ka thënë dhe është e pakthyeshme më”.
Ai ka insistuar që Gjykata Kushtetuese duhet ta rikonfirmojë vendimin që e kishte marrë në kohën e VLAN-it pasi, sipas tij, në të kundërtën bie në kundërshtim me veten.
“Në rastin e VLAN-it, Gjykata Kushtetuese nuk ka vendosur në favorin tonë. Atëbotë PDK-ja pati dalë e para në zgjedhje, derisa ne kishim krijuar një bllok. Gjykata Kushtetuese pati thënë që qeverinë duhet ta bëjë PDK-ja. LDK-ja me arsyetimin se Gjykata Kushtetuese e ka bllokuar vet këtë bllok shkoi në koalicion me PDK-në”.
“Kemi vendim që është i ngjashëm 100 për qind me këtë që e kemi. Çfarëdo vendimi tjetër i Gjykatës Kushtetuese bie në kundërshtim me vet vendimin e atëhershëm të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese do të duhej që ta ritheksonte vendimin”.
Ai ka thënë se presidenti Hashim Thaçi ka bërë shkelje kushtetuese kur ka konstatuar vet që Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta japë emrin e mandatarit për formimin e qeverisë.
“Presidenti [Hashim Thaçi] kur na dërgonte letra që t’ia dërgonim mandatarin sa më shpejt së pari kalonin nëpër media dhe më pas vinin te ne. Këto letra për mandatim të LDK-së nuk i kemi parë gjëkundi, sepse ka konsideruar se po të dalin në publik mund t’i dërgonim në Gjykatën Kushtetuese për ankesë”.
“Askund në Kushtetutën e Kosovës nuk përcaktohen afatet kushtetuese se kur Lëvizja Vetëvendosje e dërgon emrin e mandatarit te presidenti – si periudhë kohore. Në këtë rast presidenti nuk mund të paragjykojë dhe as të analizojë nëse Lëvizja Vetëvendosje e dërgon emrin ose jo. Ne kemi pasë përgjigje ndaj presidentit ku i kemi thënë që do të përgjigjemi me kohë, derisa ai kokë më vete ka konkluduar se ne nuk do t’ia dërgojmë emrin. Këtu e ka bërë shkeljen e parë kushtetuese”.
Por, a do ta pranojë Lëvizja Vetëvendosje vendimin e Gjykatës Kushtetuese nëse i njëjti është ndryshe nga vendimi i vitit 2014?
“Kushtetuta e përcakton veprimin e krijimit të qeverisë. Kushtetuta e Kosovës tashmë ka dhënë një vendim. Nëse Gjykata Kushtetuese del me një vendim tjetër, atëherë bie ndesh me vendimin e mëparshëm. Atëbotë, ne e patëm pranuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese edhe pse nuk ka qenë në interesin tonë politik… Ndërsa tash nëse Gjykata Kushtetuese merr një vendim tjetër me të cilin nuk e respekton as vendimin e vet, normalisht që Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta respektojë”, tha ai.
“Nuk do ta pranojë vendimin, sepse një vendim i tillë do të ishte shkelje e vet Kushtetutës. Është mendimi im personal, por besoj që kështu mendojnë edhe disa nga Lëvizja Vetëvendosje. Do të mbahet një mbledhje e Kryesisë dhe do të merret një vendim i qartë, por unë insistoj që të mos pranohet një vendim i Gjykatës Kushtetuese që bie ndesh me vendimet e veta”.
Në një rast të tillë hipotetik kur Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta respektonte vendimin e Kushtetueses, a do të krijonte një precedent të rrezikshëm mosrespektimi i institucionit më të lartë juridik në vend?
“Tash po krijohet një precedent tjetër. Fituesi i zgjedhjeve nuk konsiderohet më ai i cili duhet ta formojë qeverinë, pra mund ta formojë qeverinë i pesti, i treti, i shtati, por jo i pari”, tha Rexhaj.