Financimi i gjyqit për ish krerët e UÇK-së/ Bytyçi-Kurtit: Populizëm! Gjykata Speciale është e Kosovës
Studiuesi dhe njohësi i çështjeve rajonale, Enver Bytyçi replikon në distancë me ish kryeministrin e Kosovës dhe liderin e Vetëvendosjes Albin Kurti.
Ky i fundit, ditën e sotme, kërkoi që qeveria të financojë dhe organizojë mbrojtjen e atyre komandantëve të UÇK-së që kanë shkuar në Hagë.
Por sipas Bytyçit, kjo është një thirrje populiste dhe jo realiste.
“Albin Kurti ka kërkuar që qeveria të financojë dhe organizojë mbrojtjen e atyre komandantëve të UÇK-së që kanë shkuar në Hagë. Kjo thirrje e zotit Kurti është populiste, por jo realiste, sepse Gjykata Speciale e Hagës është gjykatë e Kosovës”, shprehet studiuesi.
Reagimi i plotë i Bytyçit:
Albin Kurti ka kërkuar që qeveria të financojë dhe organizojë mbrojtjen e atyre komandantëve të UÇK-së që kanë shkuar në Hagë. Kjo thirrje e zotit Kurti është populiste, por jo realiste, sepse Gjykata Speciale e Hagës është gjykatë e Kosovës.
Nëse qeveria e Kosovës bëhet palë me të akuzuarit, atëherë ajo do të akuzohet se “nuk e do drejtësinë”! A nuk ishte kjo arsyeja pse selia e kësaj gjykate shkoi në Hagë dhe jo në Prishtinë?!
A nuk do të rikthehen akuzat se Kosova nuk respekton drejtësinë e për pasojë nuk di ose nuk do të bëjë shtet?!
Zoti Kurti dhe të tjerë liderë politikë duhet të jenë me të vëmendshëm dhe më të ndjeshëm ndaj shtetësisë së Kosovës e më pak ndaj fatit të një grushti njerëzish, shumica e të cilëve kanë përfituar nga lufta dhe kanë vënë miliona pasuri, pra të aftë për t’u përballur me avokatë të zotë në Hagë!