Fitorja e bujshme e Albin Kurtit, analisti: Lë mënjanë dialogun me Serbinë

Marko Prelec, analist i lartë në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit, përbën diçka gati revolucionare.

Sipas tij, nëse Albin Kurti do të jetë kryeministër i ri i Kosovës, ai do të përballet me shumë sfida, në krye të të cilave do të jenë korrupsioni dhe dialogu me Serbinë.

Sa i përket procesit të dialogut, Prelec beson se për aq kohë sa Kurti mund të jetë në pushtet në Kosovë dhe Aleksandar Vuçiq në Serbi, marrëveshja përfundimtare është vite larg. I pyetur për marrëdhëniet me SHBA-në, Prelec ka thënë se nuk e di deri në çfarë shkalle mund t’i bëjnë presion Kurtit zyrtarët amerikanë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Prelec, Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, pritet të shënojë fitore të madhe në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Krahasuar me vitin 2019, dallimi është i madh. Çfarë mendoni se ndodhi ndërkohë?

Marko Prelec: Mendoj që njerëzit nuk kanë qenë të kënaqur me mënyrën se si është rrëzuar qeveria e kaluar e Kurtit. Ka ekzistuar ndjenja që diçka nuk është në rregull lidhur me këtë gjë. Më pas ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është paditur dhe është tani në Hagë në gjykim, bashkë me një numër liderësh nga partia e tij, por edhe nga Vetëvendosje.

Një tjetër gjë që është rëndësishme është se zyrtarët e një prej partive kryesore në opozitë tashmë, partia e kryeministrit në shkuarje, Avdullah Hoti, Lidhjes Demokratike e Kosovës, i janë bashkuar partisë së Kurtit në listë. Po flas për Vjosa Osmanin, ushtruesen e detyrës së presidentit. Pra, janë mbledhur një varg faktorësh, mirëpo ne duhet të kemi parasysh se ka diçka gati revolucionare në këtë moment.

Asnjë parti nuk ka fituar kurrë një përqindje kaq të madhe në Kosovë, kurrë. Është një referendum i qartë për njerëzit që e kanë udhëhequr Kosovën në pjesën më të madhe të 20 vjetëve të fundit dhe kjo ka qenë si deklaratë që ‘mjaft më, nuk ju duam më, duam dikë ndryshe’.

Radio Evropa e Lirë: Kurti po ashtu i ka cilësuar këto zgjedhje si referendum. Por, a mendoni se ai mund t’i ndryshojë gjërat rrënjësisht? Kosova po përballet me pasojat e pandemisë ashtu sikurse secili shtet në botë.

Marko Prelec: Po, ai do të përballet me shumë sfida, disa prej të cilave janë relativisht më të lehta dhe disa më të komplikuara. Është shumë herët të flasim për këtë. Ai me shumë gjasë do të jetë kryeministër dhe do të ketë shumë rol në marrëdhëniet me jashtë. Pikëpamja e tij për dialogun me Serbinë do të jetë ajo që do të ndodhë. Mendoj se dialogu, në thelb, do të ndalet për disa vjet.

Radio Evropa e Lirë: Ju besoni se mund të ndalet për disa vjet?

Marko Prelec: Mund të mos ndalet formalisht, mund të ketë ende takime në Bruksel, mirëpo asgjë e rëndësishme nuk do të ndodhë. Ajo që është më e vështirë për ta refomuar është sistemi në Kosovë. Kjo është diçka që mbetet të shihet, por është diçka për të cilën janë zotuar Kurti dhe Vetëvendosje.

Mirëpo pushteti gjen mënyra të të korruptuarit. Mbetet të shihet deri në çfarë shkalle do të ecin përpara me premtimet e tyre kundër korrupsionit. Mund ta luftoni korrupsionin duke gjykuar ata që tashmë nuk janë nëpër pozita, dhe kjo është gjë e lehtë, apo mund ta luftoni korrupsionin duke mos u korruptuar vetë, që është më e vështirë. Shpresoj shumë që Vetëvendosje do të bëja të dyja këto gjëra. Ka nevojë për llogaridhënie, por ka edhe nevojë për të vazhduar pastër rrugën drejt së ardhmes.

Marko Prelec

SHKARKO APP