Flasin kosovarët e pikëlluar: Ja pse po ikim nga vendi ynë
Javëve të fundit është rritur numri i qytetarëve të Kosovës të cilët, përmes Serbisë, në mënyrë ilegale janë duke migruar në shtetet e Bashkimit Evropian. Ata kryesisht udhëtojnë me lidhje të rregullta Prishtinë-Beograd, pastaj deri në Suboticë prej nga në mënyrë ilegale kalojnë në Hungari. Disa prej tyre këkrojnë azil menjëherë në Hungari ndërsa, të tjerët vazhdojnë për në Austri dhe Gjermani.
Në stacionin e autobusëve të Prishtinës, në mbrëmje shihen tollovi të mëdha. Ka netë kur, në drejtim të Beogradit, nisen edhe nga 10 autobusë. Të gjitha biletat janë të shitura disa ditë më herët, ndërsa ndodhin edhe mosmarrëveshje dhe grindje rreth ulëseve të rezervuara.
Më së shumti po ikin të rinjtë, mirëpo ka edhe të moshuar dhe familje të tëra. “Anadolu Agency” ishte dëshmitare kur Milaim Halili nga Hajvalia, afër Prishtinës, e përcolli të vëllanë me familje.
"Po shkojnë sepse vëllai e ka rrogën 130 euro, ndërsa fatura e rrymës i vjen 160 euro. Duhet të shkojnë dhe më kurrë nuk do të kthehen në Kosovë. Do të duan të kthehen, por nuk do të munden. Po më dhimbsen. Kjo është tmerr. Shiko se si i shtynë fëmijët në autobusë” ka thënë Halili.
"E përcolla vajzën me dy fëmijë dhe dhëndrin. Tërë familja. Janë nisur për në Gjermani, ishalla Zoti ju ndihmon…Nuk kanë pasur punë. Kushtet janë të vështira. Me 170 euro këtu nuk ka asgjë", thotë zonja nga Vushtrria e cila nuk ka dashur të prezantohet.
Drita Gashi nga Prishtina nuk ka dashur të flasë para kamerave, por deklaroi se është duke e përcjell vëllanë, i cili për shkak të kushteve të këqija ekonomike është i detyruar të niset për në Evropë. Vëllai i saj i është 22 vjeçar dhe është në prag të kryerjes së studimeve. Sipas saj, ai është nisur në këtë udhëtim duke i marr parasysh të gjitha rreziqet e këtij udhëtimi.
“Nuk ka perspektivë, nuk ka mundësi për punësim. Ai i cili nuk ka lidhje me qeveri, posaçërisht me qeveritarët, nuk mund të punësohet, nuk mund të ketë prosperitet prandaj, kjo është arsyeja pse po nisen në këtë rrugë” ka thënë Drita Gashi.
Shifra zyrtare se sa qytetarë të Kosovës kanë migruar në mënyrë ilegale nga Kosova deri tash nuk ka. Përmenden shifrat prej disa dhjeta mijëra njerëz të cilët kanë ikur nga Kosova, gjatë tre muajve të fundit, prej se ka filluar zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit e cila iu mundëson kosovarëve të udhëtojnë vetëm me letërnjoftim nëpër Serbi.
Në fillim të dhjetorit, më saktësisht më 5 dhjetor, kur “Anadolu Agency” kishte intervistuar Gëzim Kasapollin, asokohe ushtruesin e detyrës së Ministrit për Integrime Evropiane, ai pati deklaruar se pas fillimit të implementimit të marrëveshjes së Brukselit, me Serbinë, është shtuar fluksi i kosovarëve që po marrin rrugën e Perëndimit, qoftë edhe përmes rrugëve ilegale, për të kërkuar azil në ndonjërin nga shtetet e BE-së.
Ai pati deklaruar se Kosova gjatë 9 muajve të parë të vitit 2014 kishte shënuar rënie të numrit të qytetarëve që kanë migruar ilegalisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2013, kur kishte pasur një fluks prej rreth 21.000 personave.
Mirëpo, ky trend i uljes së shifrave të emigrantëve ilegal nga Kosova në vendet e BE-së, ka ndryshuar për të keq në tre muajt e fundit të vitit 2014 dhe në janar të 2015.
Supozohet se numri i atyre që, gjatë këtyre katër muajve të fundit, kanë ikur në mënyrë ilegale nga Kosova për në vendet e BE-së ka tejkaluar shifrat vjetore të vitit 2013.
Zyrtarët kosovarë për çdo ditë u apelojnë qytetarëve të Kosovës që të mos shkojnë nga Kosova në mënyrë ilegale, sepse do të kthehen edhe më të varfër se sa kanë shkuar. Kjo për faktin se asnjë vend i Bashkimit Evropian më nuk ofron azil për qytetarët e Kosovës ndërsa, ata për të migruar ilegalisht në këto vende nuk zgjedhin mënyra, bile bile edhe duke hyrë në borxh, marr kredi apo edhe shitur pasurinë që e kanë, vetëm e vetëm për të gjetur rrugëdalje nga varfëria e cila i ka kapluar.
Javën e kaluar, Kuvendi i Kosovës e ka diskutuar çështjen e migrimit ilegal por, për shkak të mungesës së kuorumit deputetët nuk kanë mundur ta votojnë propozimin e rezolutës. Pritet që, këtë të enjte, Kuvendi ta miratojë rezolutën e propozuar së bashku me rekomandimet se si të ndalet ky trend i migrimit ilegal.
Siç thamë më herët, asnjë vend i Bashkimit Evropian nuk jep më azil për qytetarët e Kosovës dhe ata të cilët do të kapen gjatë qëndrimit të tyre ilegal në vendet e BE-së, do të kthehen prapa në Kosovë dhe për 5 vitet e ardhshme nuk do të mund të aplikojnë për viza.
Përndryshe, qytetarët e Kosovës janë të vetmit në regjion të cilët nuk kanë liberalizim të vizave dhe u nevojitet viza për të qëndruar në shtetet e BE-së.
Vlerësimi i përgjithshëm është se ajo që po i shtyn të migrojnë në mënyrë ilegale, qytetarët e Kosovës është situata ekonomike e vështirë dhe papunësia e madhe.
Megjithatë, duke konsideruar faktin se, Kosova gjendet në fazën përmbyllëse të përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave dhe në fazën fillestare të marrëdhënieve në procesin e integrimit evropian me Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, ndalimi i migrimit ilegal është një prej parakushteve kështu që qeveria dhe Kuvendi i Kosovës duhet të gjejnë forma dhe mekanizma, që ta ndalin këtë migrim ilegal.