Flet numri dy i partisë: Vjosa nuk ka vend jashtë LDK-së

Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, ka folur për largimin e Vjosa Osmanit nga partia dhe krijimin e një iniciative të re. Haziri thotë se Osmani e ka vendin në partinë ku ka filluar karrierën politike.

Haziri ka deklaruar se Osmani nuk ka vend jashtë LDK’së. Sipas tij, ajo nuk bën të kërkojë vend jashtë partisë në të cilën filloi karrierën politike para 12 vitesh.

Ai thotë se Osmani është ndërtuar në profilin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Me vjen keq edhe sot, nuk po di si ta shpjegoj ndryshe, pos me thonë se Vjosa nuk ka vend jashtë LDK-së, nuk bon me lypë vend jashtë LDK-së, sepse nuk e ka. Është ndërtu për 12 vjet në mënyrë aktive, sa unë e kujtoj edhe në zyre të presidentit Sejdiu, edhe në detyra tjera që ka pasur si deputete, si përfaqësuese e jonë, është ndërtuar në profilin e LDK-së”, ka deklaruar Haziri në Kanal10.

Ai tutje ka deklaruar se ka pasur disa herë dallime me Osmanin, megjithatë sipas tij, ajo mbetet një vlerë politike.

Ndërkohë, Haziri ka folur edhe për iniciativën me të cilën Osmani pritet të garojë në këto zgjedhje dhe dëmtimin e mundshëm që mund t’ia bëjë LDK’së largimi i Osmanit.

Në situatën aktuale, me largimin e Osmanit nga LDK, Haziri nuk e sheh fitues asnjërën palë.

“Sot ne humbim, nesër humb Vjosa. Pozicioni është i njëjtë. Ne dëmtohemi sot, në procesin tjetër dëmtohet Vjosa”, ka thënë Haziri.

SHKARKO APP