Fluks importesh nga Serbia pas heqjes së taksës
Heqja e tarifës 100 për qind nga ana e Kosovës kundrejt Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës po rrit fluksin tregtar mes vendeve. Politika e reciprocitetit që hyri në fuqi të mërkurën nuk ka rezultuar problematike për autoritetet kosovare.
Pak ditë nga vendimi i qeverisë kosovare për të zëvendësuar masën tarifore 100 për qind me reciprocitet me Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, në pikat kufitare të vendit vazhdon hyrja e mallrave.
Ndryshimi i qëndrimit të qeverisë që i kushtoi edhe pushtetin kryeministrit në detyrë Albin Kurti javën e kaluar, shpresohet se do të adresojë edhe çështjet pezull mes palëve, përfshirë dialogun për pajtim.
Në kufirin e Merdarës, Arton Lushaku, konfirmon se masa e reciprocitetit po respektohet nga palët.
“Nga mëngjesi kanë hyrë katër maune me mallra me origjinë nga Serbia. Kemi mallra të ndryshëm, ka industri kimike, ka industri ushqimore, ambalazhe etj. Deri më tani nuk kemi hasur në diçka që ka rënë në kundërshtim me vendimin e qeverisë.”
Importet nga Serbia janë rritur ndjeshëm pas heqjes së taksës ndaj lëndës së parë në datën 20 mars.
Para aplikimit të tarifës maksimaliste në vitin 2018, hyrjet nga Serbia arrinin shifrën 450 milionë.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, deklaron se po përmirësohet flukset nga fqinji verior.
“Ditën e parë kemi pasur një import të ulët, pra vetëm 16 maune kanë qenë nga Serbia, ndërsa nga Bosnja nuk ka pasur. Në ditën e dytë kemi pasur rreth 100 maune… për momentin që ne flasim kemi rreth 44 maune të cilat kanë ardhur nga Republika e Serbisë… kemi edhe katër importet e para nga Bosnja, të cilat kanë një vlerë rreth 30 mijë euro”.
Vendimi i 31 marsit i Qeverisë së Kosovës për heqjen e tarifës 100 për qind detyron që në marrëdhëniet me Serbinë emërtimet e certifikatave fitosanitare, veterinare dhe dokumenteve përcjellëse të përdoren në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Dy vendet aplikojnë ende kontrolle të shtuara mjekësore nga frika e pandemisë së koronavirusit, që në Kosovë ka infektuar 135 veta, ndërsa në Serbi situata është më serioze me mbi 1,400 të prekur dhe 39 persona që nuk i kanë mbijetuar sëmundjes.