FMN kërkon kujdes me programet sociale në Kosovë

Fondi Monetar Ndërkombëtar, u  bëri thirrje institucioneve të Kosovës të heqin dorë nga projektligji për kompensimin e arsimtarëve që kanë punuar gjatë viteve të 90-ta, duke tërhequr vërejtjen ne pasojat për buxhetin e saj.

Një delegacion i këtij fondi qëndroi për një vizitë disaditëshe në Kosovë për të diskutuar zhvillimet ekonomike. Shefja e këtij delegacioni, Stephanie Eble, citohet në një komunikatë të fondit të ketë thënë se janë rritur rreziqet fiskale në vend.

“Në këtë drejtim, misioni këshillon që të mos ecet përpara me projektligjin aktual për kompensimin e mësuesve, për shkak të kostove të mëdha fiskale të drejtpërdrejta dhe të tërthorta që do ta ngarkojnë buxhetin për shumë vite”, ka thënë ajo duke kërkuar reformimin e programit për veteranët e luftës, shmangien e ndonjë program të ri të përfitimeve sociale të pakontrolluara; përshpejtimin e ristrukturimit të sektorit të ndërmarrjeve publike për të rivendosur qëndrueshmërinë financiare, hartimin e reformave në administratën publike brenda kufijve të rregullave të pagave, etj. Qeveria e Kosovës e ka dërguar në Parlament projektligjin për “Statusin e Punëtorëve të Arsimit të viteve të 90-ta”, pas trysnisë sindikatat e arsimit. Nga projektligji i miratuar në parim, pritet të përfitojnë 23 mijë persona dhe sipas ekspertëve kostoja e ligjit për periudhën 2019-2020 do të ishte 30.4 milionë euro. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, rritja ekonomike gjatë vitit 2018 pritet të jetë rreth 4 për qind. Në të njëjtën kohë, citohet të ketë thënë zonja Eble, “duhet të përshpejtohen reformat strukturore për të mbështetur zhvillimin e sektorit privat për të arritur një rritje më të qëndrueshme.

Kosova duhet të zvogëlojë hendekun e madh të të ardhurave me pjesën tjetër të Evropës dhe të trajtojë shkallën e lartë të papunësisë. Në këtë drejtim, misioni përsëriti nevojën për avancimin e zbatimit të reformave të arsimit, qeverisjes, infrastrukturës, tregut të punës, shëndetësisë dhe administratës tatimore”. Kosova shpalli pavarësisë në shkurt të vitit 2008, ndërsa në qershor të vitit 2009 u bë anëtare e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtarë. Anëtarësimi qe vlerësuar me rëndësi për rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës e cila përballet me shkallë të lartë të papunësisë dhe rrjedhimisht edhe varfërisë.

SHKARKO APP