Foreign Policy: Viktima e parë e Trumpit mund të jetë Kosova

Dashuria e Armend Miftarit ndaj Shteteve të Bashkuara është e palëkundur, madje edhe pas ardhjes në pushtet të Donald Trumpit.

Sikurse shumë në qytetin e Ferizajt, vend i kampit të madh ushtarak amerikan “Bondsteel”, Miftari mbetet një individ i devotshëm ndaj Amerikës, duke iu falënderuar rolit të SHBA-ve që patën në çlirimin vendit nga sundimi i liderit serb, Sllobodan Millosheviq më 1999.

Ndërsa kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, është vend i statujës së famshme të qeshur të presidentit amerikan Bill Clinton, i cili qëndron mbi një bulevard me po të njëjtin emër, Ferizaj ka qendrën e saj sportive me emrin Bill Clinton, në perëndim të qytetit, dhe ky emër i ka mbetur pasi Clinton kishte mbajtur një fjalim aty. Në një shëtitje të fundit nëpër qytet, dukej sikur një në 10 adoleshentë kishin një flamur amerikan të ngjitur në çantat e tyre të shpinës, në fanella apo në xhinse. Miftari, 38-vjeç, që e ka kaluar luftën në Kosovë si refugjat në Gjermani, më vonë shkoi për të punuar për amerikanët në Afganistan si ndërtimtar; dhe pikërisht atje ai i kushtoi një këngë falënderimi jashtëzakonisht prekëse: “Thank You USA”, transmeton Koha.net shkrimin e “Foreign Policy”.

Por besnikëria e MIftarit tani garon me ankthin. Për Kosovën, siç thotë ai, ardhja e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë është “si një ëndërr e keqe” – dhe jo vetëm pse vendi përbëhet nga një popullatë prej mbi 90 për qind myslimane. Rreziku, thotë ai, tashmë është i dukshëm siç shihet në komentet që i janë lënë në këngën e tij të postuar në YouTube: “Që kur ka fituar Trumpi, shumë njerëz kanë komentuar në video se ëndrra e Serbisë është realizuar. Dhe se Trumpi është në anën e tyre dhe ai do t’ia kthej Serbisë Kosovën”.

Në javët pas zgjedhjeve në SHBA, sytë kanë qenë të drejtuar kah Ukraina, vendet Baltike, dhe nëpër zonat tjera të mirënjohura gjeopolitike. Por Kosova e vogël veçse është bërë terren testues i asaj se si forcat e çliruara nga fitorja e Trumpit do të luajnë në skenën ndërkombëtare. Vendi, i cili qëndron në Ballkan në mes të katër fqinjëve më të mëdhenj, ende nuk ka një ushtri dhe si e tillë është e pazot pa garancat e sigurisë amerikane, dhe qëndrueshmërinë diplomatike, të cilën Trump ka kërcënuar se do ta tërheq.

Që nga shpallja e pavarësisë më 2008, Kosova është njohur nga rreth 113 vende. Megjithatë, Rusia dhe Kina janë në mesin e vendeve që nuk e kanë ndjekur këtë hap, duke përkrahur pretendimet e vazhdueshme serbe për këtë territor. Shtetet e Bashkuara, një nga shtetet e para që e kanë njohur pavarësinë e saj, avokojnë për Kosovën në skenën ndërkombëtare; ka lobuar fuqishëm për Kosovën në UNESCO më 2015, për shembull (e cila dështoi për tre vota). Më shumë se 4,200 trupa të NATO-s, përfshi rreth 650 amerikanë, janë të stacionuar në Kosovë. Në një bisedë të shkurtër me Trumpin para inaugurimit të tij, ambasadorja e Kosovës në Washington tha t’i ketë thënë presidentit në ardhje se ajo përfaqëson “kombin më pro-amerikan në faqe të tokës”. Me ardhjen e epokës “Së pari Amerika”, megjithatë, nuk është e qartë se Kosova, me gjithë entuziazmin e saj, do të jetë prioritet.

Dhe nuk është ndonjë sekret se pse emocionet shkuan në qiell këtu gjatë zgjedhjeve amerikane. Vendi është me shumicë shqiptare sikurse Miftari, të cilët mbesin admirues të zjarrtë të Clintonëve (veç statujës së Bill Clintonit, Prishtina ka edhe disa butiqe me emrin e gruas së tij, ish-sekretares dhe kandidates presidenciale demokrate, Hillary Clinton). Por ka edhe një pakicë serbe që jetojnë në pjesën veriore të vendit, e që ndjehen të ngujuar mes Beogradit dhe Prishtinës, e të cilët e kanë përkrahur Trumpin pjesërisht nga dëshira për “rezistencë”, ka thënë analisti Branislav Nesoviq, që vjen nga komuna më veriore e Kosovës, Leposaviqi.

Fushata amerikane ndezi edhe fqinjin verior të Kosovës. Lideri radikal serbëve, Vojisllav Sheshel organizoi protesta pro- Trump verën e kaluar gjatë vizitës së ish-zëvendëspresidentit amerikan Joe Biden në Beograd dhe kërkoi nga serbo-amerikanët ta votojnë Trumpin “për të ardhmen e Serbisë”. Kur Trump fitoi, Shesheli lëshoi një këngë për presidentin zgjedhur në parlamentin serb; në këngë, që ishte kompozuar nga diaspora serbe në Milwaukee, këngëtari i gëzohet faktit se Trumpi dhe Vladimir Putini do të bëhen bashkë-perandorë të botës dhe shpreson se ai – Trumpi – do t’i dëbojë myslimanët nga Shtetet e Bashkuara siç kishte premtuar gjatë fushatës. Reagimet tjera ishin vetëm pak më të matura. Marko Gjuriq, politikan serb përgjegjës për negociatat e ndërmjetësuara nga BE për të “normalizuar” raportet me Kosovën, tha se kishte hapur një shishe shampanje për të kremtuar fitoren e Trumpit. Serbia, e cila është kandidate për anëtarësim në BE por që mban gjithashtu raporte të afërta me Rusinë, e sheh cilësimin e Trumpit për Putinin si gjë të mirë, tha Gjuriq. “Shpresa jonë është se administrata e re amerikane e drejtuar nga Donald Trump mund të jap kontribut të rëndësishëm në de-eskalimin global të raporteve në mes të fuqive të mëdha”, tha ai.

Në ndërkohë, nacionalistët serb të Kosovës, aleatë të Rusisë, të cilët ende e konsiderojnë vendin pjesë të Serbisë, janë trimëruar nga presidenti në ardhje amerikan të cilin e shohin si aleat ideologjik. Në veri të Kosovës, atje ku banorët shumicë serbë ende janë të kapur pas institucioneve serbe dhe e shohin Beogradin si kryeqytet, fitorja e Trumpit është kremtuar me festime të shumta. Disa ditë pas zgjedhjeve, në Mitrovicën veriore, të qytetit të ndarë mes shqiptarëve dhe serbëve, u shfaqën billborde. Me fotografinë e Trumpit, billbordet proklamonin me krenari se “serbët e përkrahën atë gjatë gjithë kohës!”, transmeton Koha.net.

Këto tensione në rritje valuan papritmas këtë muaj kur Serbia provoi të dërgonte një tren të ri, donacion nga Rusia, nga Beogradi në Mitrovicë. Treni, i veshur brenda me ikona nga manastiret ortodokse serbe në Kosovë dhe i veshur nga jashtë me sloganin provokues “Kosova është Serbi” në 21 gjuhë, u ndalua pak para kufirit të kontestuar, pasi kryeministri serb Aleksandër Vuçiq tha se shqiptarët kishin vënë dinamit në hekurudhë. Policia e Kosovës dërgoi njësite të forcave speciale për të bllokuar hyrjen e trenit.

Retorika në mes të Beogradit dhe Prishtinës vazhdoi të eskalojë edhe më thellë pas episodit të trenit: presidenti serb, Tomisllav Nikolliq, tha se është i gatshëm të dërgojë ushtrinë serbe në Kosovë, ndërsa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi iu kundërpërgjigj duke thënë se Serbia ka për qëllim ta aneksojë pjesën veriore të Kosovës duke përdorur “modelin e Krimesë”. Pas një takimi të Këshillit serb të Sigurisë, Nikolliq tha para gazetarëve se mendon që periudha e këtyre ngjarjeve ka qenë e ndërlidhur me administratën në shkuarje amerikane, ndonëse nuk e elaboroi. Marrëdhëniet kanë mbetur të tensionuara që nga ajo kohë; kryeministrat e dy vendeve pritet të takohen në Bruksel më 1 shkurt.

Florian Bieber, drejtor i Qendrës për Studime për Evropën Juglindore në Universitetin e Gracit të Austrisë, ka thënë se për momentin, Serbia vështirë se do të “marrë shembull nga modeli krimean”. Në fund të fundit, vendi ende aspiron anëtarësimin në BE, dhe Rusia ende nuk u ka dërguar sinjale të qarta të përkrahjes për idenë ndaj nacionalistëve të joshur serbë. Por, thotë ai, “mendoj se ardhja e Trumpit në pushtet nënkupton se do të ketë shumë testime të ujërave në javët dhe muajt e ardhshëm”.

Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv i Institutit Riinvest, një institut ekspertësh në Prishtinë, brengoset se fitorja e Trumpit do të përmbys rendin global ndaj të cilit ekzistenca e Kosovës është mbështetur për rreth 20 vjet. “Një lëvizje e vogël në politikën e jashtme amerikane do të nënkuptojë implikime të mëdha në këtë pjesë të botës”, ka thënë ai. “Kjo pjesë e botës ka nevojë për prezencë ndërkombëtare dhe polici ndërkombëtare, dhe nëse SHBA është e gatshme të lëshojë pushtetin që e ka, dikush tjetër do t’ia zë vendin e saj, dhe për ne ky është lajm i keq”.

Nuk është e qartë se incidenti me trenin dhe retorika pasuese ka rrjedhë nga një ndjenjë e re e mosndëshkimit në Serbie ndezur nga Trumpi; disa analistë thonë se fjalët e guximshme mund të kenë qenë gjithashtu rezultat i faktorëve lokalë. Zgjedhjet presidenciale serbe janë caktuar të mbahen në muajin prill, dhe edhe presidenti Nikolliq e edhe kryeministri Vuçiq janë pretendentë për nominim nga Partia Përparimtare Serbe. Vuçiq ka qenë duke udhëhequr dialogun jo edhe aq popullor me Kosovën dhe mund ta ketë dërguar trenin për të qetësuar shqetësimet e shumta se shumë koncesione po bëhen me atë që Beogradi ende e konsideron provincën e saj jugore. Edhe deklaratat agresive të Nikoliqit pas kthimit mbrapsht të trenit mund të kenë pasur bazën nacionaliste, transmeton Koha.net.

Pavarësisht arsyes për eskalim, megjithatë, Bieber thotë se progresi i arritur që nga viti 2011 në negociatat e ndërmjetësuara nga BE mes Kosovës dhe Serbisë, që kanë për qëllim “normalizimin e marrëdhënieve”, mund të përmbysen. Vazhdimi i negociatave me të njëjtin ritëm kërkon një BE të fuqishme, të përkrahur nga Shtetet e Bashkuara. “Nëse SHBA-të dërgojnë sinjale tjera, kjo mund të sjellë paqartësi, dhe ekziston së paku rreziku se procesi mund të dështojë”, ka thënë Bieber.

Deri më tani, fati i Kosovës ka marrë pak vëmendje gjatë periudhës së trazuar të tranzicionit dhe në ditët e para të administratës së re. Ajo u përmend shkurtimisht gjatë një diskutimi nga gjenerali James Mattis, që është sekretar i ri i mbrojtjes, gjatë së cilës Mattis ritheksoi përkushtimin amerikan ndaj vendit, duke e quajtur atë “shembull të asaj se çfarë ndodh kur komuniteti ndërkombëtar, i udhëhequr nga Amerika, përkushtohet për mbrojtjen e interesave dhe vlerave të saja”. Megjithatë, nuk është e qartë nëse Mattis flet për Trumpin.

Megjithatë, tani për tani, Miftari po beson. Ai asnjëherë, siç thotë, nuk do të ndalojë së dashuri Amerikën, ndonëse katër vitet e ardhshme e bëjnë atë nervoz.

SHKARKO APP