Fotoja e Presidentit/PDK: Vjosa Osmani shkeli ligjin
Në ditën e parë të punës si Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani e nisi me heqjen e fotografisë së Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe vendosi foton e presidentit të ndjerë, Rugova. Partia Demokratike e Kosovës, përmes një reagimi zyrtar, thotë se Osmani e ka shkelur Protokollin e Shtetit dhe se zbatimi i ligjit nuk varet nga dëshirat e askujt pavarësisht bindjeve politike. Veprimin e saj e kanë quajtur primitiv dhe zgjedhjen e Osmanit në pozitën e kryetares së Kuvendit e kanë quajtur të dyshimtë.
”Vjosa Osmani, e zgjedhur natën dhe me votat e Listës Srpska, ka shkelur rëndë ligjin NR.03/L-132 Për Protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës duke hequr fotografinë zyrtare të Presidentit. Zbatimi i ligjit nuk varet nga dëshirat e askujt pavarësisht bindjeve politike dhe këtë gjë ajo duhet ta dijë mirë si eksperte dhe ligjëruese e jurisprudencës. Me veprimin e saj primitiv, kryekuvendarja e zgjedhur në mënyrë të dyshimtë, Vjosa Osmani përfaqëson mentalitetin e vjetër që synon hakmarrjen dhe përçon gjuhën e urrejtjes dhe përçarjes së qytetarëve. Që në ditën e parë në pozitën e re, ajo po dëshmon se përfaqëson vetëm interesin e saj brenda partisë së vet dhe jo ti shërbej institucionit ku është zgjedhur. Me këtë veprim anti-ligjor ajo gjithashtu fyen rëndë edhe institucionin që drejton, Kuvendin e Kosovës, tempullin e demokracisë dhe ligjvënies në vendin tonë”.
PDK-ja ka bërë thirrje që të kthehet fotografia e Presidentit në zyrë, nga administrata e Kuvendit, në të kundërtën ajo do të rikthehet në pozitën e vet me çdo kusht. Gjithashtu, PDK-ja ka bërë të ditur se është duke e shqyrtuar anën legale të zgjedhjes së Osmanit në këtë pozitë.
Vjosa Osmani sqaroi se foton nuk e larguar krejtësisht, por e ka zhvendosur në një pjesë tjetër të zyrës. “Natyrisht që ka arsye, unë e njoh shumë mirë ligjin, siç e din të gjithë kolegët e mijë në Kuvendin e Kosovës dhe në përputhje të plotë me ligjin fotografia e -presidentit aktual të vendit ndodhet në kabinet, është zhvendosur nga vendi ku ka qenë më herët sepse unë kam dashur që në ballë të zyrës ta kem dikë që më inspiron në fillim të çdo dite. Ju siguroj që secili veprim, jo vetëm ky, është në përputhje me ligjin, zhvendosja është ndryshim i vendit konkret dhe gjithçka është në përputhje me ligjin, presidenti Rugova siç e kam thënë edhe dje ka qenë dhe mbetet figura politike që ka inspiruar dhe inspiron çdo veprim timin politik”.