Franca pro, Gjermania kundër ndryshimit të kufijve

Franca i lë dorë të lirë Prishtinës dhe Beogradit të arrijnë marrëveshjen

Në një njoftim zyrtar Ministria e Jashtme Franceze, bën me dije se Presidenti i Francws, Emmanuel Macron, mbështet diskutimet e udhëhequra nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini. Në këtë mënyrë Franca është një nga vendet kryesore të Bashkimit Evropian e cila ka një qasje tjetër nga ajo e Gjermanisë. Ministria e Punëve të Jashtme Franceze, thekson se marrëveshjen e Serbisë me Kosovën, Macron e ka diskutuar me Presidentin e Seribsë, Aleksandar Vuçiç, në takimin e 17 korrikut në Paris.

Deklarata e plotë e Ministrisë së Jashtme Franceze:

Cila është qëndrimi francez për diskutimet midis Beogradit dhe Prishtinës për një ndryshim të mundshëm të kufirit të Serbisë me Kosovën?

Zgjidhja e mosmarrëveshjes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është jetike për stabilizimin afatgjatë të Ballkanit Perëndimor dhe konkretizimin e perspektivave evropiane të këtyre dy vendeve. Franca mbështet plotësisht përpjekjet e ndërmjetësimit të Federica Mogherinit dhe shpreson që diskutimet e hollësishme mbi të gjitha çështjet e diskutueshme së shpejti të çojnë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare mes dy vendeve, në përputhje me shpresat e shprehura nga dy presidentët. Presidenti Macron shprehu mbështetjen e Francës për këtë dinamikë gjatë takimit të tij me presidentin Vuçiç në Paris më 17 korrik dhe mbështet përpjekjet e dy udhëheqësve. Franca beson se është në duart e të dy palëve të përcaktojnë përmbajtjen e një marrëveshjeje dhe të marrin në konsideratë të gjitha opsionet që mund të çojnë në një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare të kësaj mosmarrëveshjeje dhe për të forcuar stabilitetin rajonal.

Grupi Parlamentar Evropian ALDE, kundër ndarjes territoriale në Kosovë

Guy Verhofstadt, lideri i Aleancës së Liberalëve Demokrat të Evropës, në Parlamentin Evropian, tha dje se marrëdhëniet në Ballkanin Perëndimor, nuk do të përmirësohen nëpërmjet ndryshimit të kufijve apo ndarjeve territoriale. Me këtë deklaratë, Verhofstad iu referua deklaratave dhe propozimeve të Presidentit Vuçiç dhe Thaçi, të cilët do të takohen sot në Bruksel, për raundin e ri të negociatave. “E vetmja mënyrë për të ruajtur stabilitetin dhe progresin, është puna që duhet bërë për një integrim Evropian”, citoi ai, duke shtuar se mbështetja e fundit për Kosovën dhe liberalizmin e vizave, është një shembull i mirë për këtë praktikë. Ivo Vajgl, anëtari tjetër i grupimit të “ALDE’s” dhe deputet në Parlamentin Evropian, nga Sllovenia, kujtoi se, ide të tilla çuan në luftë, në Evropën Juglindore, dy dekada më parë. Ai tha se “Kur vjen puna tek marrëdhëniet ndër-etnike, çështja kyçe është garantimi dhe mbrojtja e minoriteteve kombëtare”, përfundoi ai.

Konferenca

Pacolli: Kemi gabuar në bisedimet me Serbinë

Dje u mbajt Konferenca me ambasadorët e Kosovës të akredituar në ato vende të cilat e njohin Kosovën si shtet. Përfaqësuesit e politikës Kosovare ishin aty dhe mbajtën një fjalim. Ideja e shkëmbimeve e njohjes së Kosovës si shtet, ishte preokupimi kryesor i tyre.

Pacolli

Në fjalën e tij ministri i Jashtëm Kosovës, Behgjet Pacolli tha se, “Nevoja për stabilitet është shumë e rëndësishme. Ne të kemi një diplomaci të fuqishme. Sfida është marrëveshja me Serbinë. Marrëveshja e paqes. Marrëveshja që kemi arritur deri tani pa presion, por me dialog të gjatë dhe tani marrëveshja kryesore që do të përfundojë në paqësimin e Kosovës me Serbinë. Këto bisedimi janë të lehtësuar nga BE. Ky dialog do të jetë i kufizuar me tema dhe debate kryesore. Kosova duhet të njihet nga Republika e Serbisë, të jetë anëtare e OKB-së, të këtë rrugë të lirë për në organizatat e tjera. Ne nuk hyjmë dot në dy organizma, pra në BE dhe OKB. A do të ketë demarkimi korrigjim kufijsh? Sigurisht ne nuk do të përcaktojmë, por ne e dimë se secili prej jush e dëshiron, sepse Kosova nuk ka territor që t’i falë askujt, Kosova ka kufijtë e vitit 2008. Në çdo dialog nuk duhet të harrohet asnjë fakt: Kosova është shtet i pavarur. Kjo duhet të jetë pikënisja. Pas qëndrimeve diplomatike qëndron strategjia për përfitime ekonomike në kurriz të qytetarëve të Kosovës. Ne kemi gabuar më parë që kemi lëshuar terren në favor të Serbisë. Duhet të gjejmë llojin e marrëdhënies me Serbinë. Të futemi në OKB me patjetër, sepse Kosova po humbet nga kjo gjë. Nuk po aktivizohet ekonomia. Duhen ekspertët ekonomikë dhe financiarë, që të hyjnë në grupin e dialogut. Duhet të kufizojmë hapësirën e Serbisë për të fituar. Ekonomia serbe kontrollon energjetikën tonë”, përfundoi ai.

SHKARKO APP