Frank Hantke i cilëson të dobëta marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë

 

Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë ka qenë temë e diskutimit në Konferencën rajonale “Shqipëria dhe Kosova në kërkim të së ardhmes së përbashkët”, të organizuar sot (e martë) në Tiranë, ku merrnin pjesë deputetë, ministra dhe përfaqësues të shoqërisë civile të Shqipërisë dhe Kosovës, si edhe ambasadorë të akredituar në Shqipëri.

Në këndvështrimin e diplomatëve të huaj, sidomos atyre gjermanë, marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë nuk janë në nivelin e duhur. Sipas tyre, në Tiranë dhe në Prishtinë më shumë janë dëgjuar deklarata dhe fjalë boshe, se sa veprime konkrete.

Kështu është shprehur Frank Hantke, drejtor i Fondacionit gjerman Friedrich Ebert, që operon prej disa vitesh në Shqipëri.

“Janë bërë shumë takime, por marrëdhënia e vërtetë mes dy vendeve është shumë e dobët. Ka shumë fjalë e deklarata por pak punë. Ne nuk duhet të flasim për vizione por për realitetin. Duhet të gjejmë ku janë pengesat, të cilat janë të brendshme dhe nuk vijnë nga BE. Të shohim ku janë gabimet tona. Ne po luajmë me perceptimet e njerëzve që nuk dinë shumë për realitetin ekzistues. Para se të flasim për hapat e radhës duhet të gjejmë ku gabojmë ne në Kosovë apo në Shqipëri. Nuk është problem të flasim për miqësi, probleme etnike etj., por duhet të dimë që popullsia do mirëqenie do punësim, nuk i duhet unifikimi”, tha Hantke.

Arta Dade, ish-ministre e Jashtme e Shqipërisë, aktualisht deputete e PS-së dhe kryetare e Komisionit Parlamentar të Politikës së Jashtme në Shqipëri, u ndal në disa pikëpyetje që kërkojnë përgjigje dhe zgjidhje në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Dade tha se diskutohen shumë gjëra, janë bërë shumë marrëveshje, mbledhje qeverie e të tjera takime, por nuk është thënë se sa po zbatohen këto në realitet, deri ku kanë ecur dhe cilat janë pengesat. Ajo u ndal edhe te eksodi që po ndodh së fundmi në të dy shtetet, temë për të cilën tha se qeveritë duhet t’i lënë mënjanë justifikimet dhe shkaqet dhe të fokusohen te dhënia e shpresës për qytetarët e tyre, në mënyrë që ata ta shohin të ardhmen në vendin e tyre përmes punësimit dhe mirëqenies.

“Shqetësimi është sa ne i ndjekim ato çështje që diskutohen në këto takime, pra mbaron një takim, secili grup vizitor shkon në vendin përkatës dhe mbeten aty. Pra, duhet të tregojmë më shumë kujdes që të ndjekim zbatimin e atyre çështjeve që diskutojmë apo angazhimet e përbashkëta që marrim. Gjithashtu shqetësimi që ka lindur muajt e fundit, i ikjes masive të qytetarëve nga të dy vendet. Përtej faktit që qeveritë edhe mund të kenë argumentet dhe justifikimet e tyre, unë besoj që qeveritë respektive duhet të krijojnë shpresë dhe perspektivë për shqiptarët, ta shohin të ardhmen e tyre në vendet e tyre, shqiptarët në Shqipëri dhe shtetasit e Kosovës në vendin e tyre”, tha Arta Dade.

Edhe Aldo Bumçi, ish-ministër i Jashtëm në kohën e qeverisë Berisha, aktualisht deputet i PD-së, foli për bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri, ndërsa komentoi edhe deklaratat e bëra së fundmi nga kryeministri Rama për bashkimin kombëtar.

Bumçi tha se nuk mund të mbahen qëndrime të tilla aventureske, pasi çdo avancim i Shqipërisë dhe Kosovës ka ardhur përmes mbështetjes së SHBA-ve dhe BE-së, ndaj dhe nuk mund të dalë jashtë këtij rendi.

Lidhur me marrëveshjet dhe mbledhjet e dy qeverive, Bumçi i kujtoi kryeministrit Rama se ky bashkëpunim nuk është meritë e qeverisë së tij, pasi opozita e tashme, ndërsa qeveri e djeshme, la gati 96 marrëveshje, dhe se realizoi projektin më të madh të shqiptarëve, Rrugën e Kombit.

“Ky avancim (Shqipëri-Kosovë) është bërë brenda një kuadri, një rendi botëror që përbëhet nga NATO, SHBA dhe BE dhe çdo avancim bëhet brenda këtij rendi; çdo qëndrim tjetër është një qëndrim aventurier i cili është për të ardhur keq nëse bëhet në nivele kaq të larta kur mendohet se gjërat duhet të jenë shumë të qarta. Pra, ne kemi avancuar më shumë se çdo komb tjetër dhe nuk mund të jemi në një listë dhe të themi se nuk është bërë asgjë. E dyta projekti më i mamdh i bashkëpunimit tonë është bërë tashmë; është i realizuar, dhe është Rruga e Kombit. Ka më shumë se 1 milion e gjysmë qytetarë të Kosovës që hyjnë nga Kosova në Shqipëri; shkëmbimet njerëzore në të dy anët e kufirit mbas ndërtimit të rrugës janë rritur10 herë, tregtia është rritur gati 7 herë dhe kjo falë Rrugës së Kombit. Gjithashtu nuk jam dakord me një frymë që kërkon që gjithçka ta nisë nga zero, sikur është kjo qeveri që e ka nisur bashkëpunimin. Kjo qeveri kur ka ardhur në detyrë ka gjetur 96 marrëveshje Shqipëri-Kosovë, disa të lidhura në kohën kur nuk ishte shpallur pavarësia disa pas Pavarësisë janë gjithsej 96 marrëveshje. Projekti i abetares së përbashkët është realizuar, por a janë këto të mjaftueshme? Jo! Duhet avancuar edhe më shumë”, tha Aldo Bumçi.

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë sa strategjike aq edhe natyrale e për këtë bashkëpunim askush nuk duhet të ketë frikë.

“Marrëdhëniet ndërshtetërore ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës janë më shumë se natyrale e historike. Është fakt që bashkëpunimi në vitin 2015 ka kaluar nga një periudhë e romantizmit dhe fjalëve të mëdha në veprime konkrete që lehtësojnë raportet ndërmjet shoqërive, ekonomive e aspekteve të tjera të jetës. Në anën tjetër, askush nuk duhet të ketë frikë nga ky bashkëpunim”, tha Hoxhaj.

Ministri i Ekonomisë së Shqipërisë, Arben Ahmetaj, duke folur me shifra konkrete për nivelin e bashkëpunimit, tha se Kosova është e dyta pas Italisë sa i përket eksporteve.

ILLYRIA

SHKARKO APP