Fron Nahzi: Marrëveshja Prishtinë-Beograd mund të vendosë zgjedhjet amerikane

Nga Fron Nahzi-
Shtetet e Bashkuara e përshëndetën marrëveshjen ekonomike të 4 shtatorit midis Kosovës dhe Serbisë si një marrëveshje historike që do të çojë në bashkëpunim dhe paqe më të gjerë. Por ajo kishte pamjen, ndjesinë dhe qëllimin e një ngjarjeje fushate.

Zyra Ovale atë ditë dukej si një skenë nga ish-shfaqja televizive e Trump The Apprentice. Garuesit finalë, Presidenti serb Aleksander Vuçiç dhe Kryeministri i Kosovës Abdullah Hoti, të ulur me rregull, u duartrokitën si udhëheqës me vështrim përpara, u vlerësuan me fotografi dhe u dërguan në shtëpi me premtime për kredi për ndërtimin e hekurudhave dhe rrugëve.

Ndërsa marrëveshja mund të nxisë Kosovën dhe Serbinë përgjatë rrugës së gjatë drejt lidhjeve të normalizuara, qëllimi kryesor u bë i qartë pasi Trump dhe spin doktorët e tij e paketuan menjëherë marrëveshjen për t’i shërbyer fushatës së tij të rizgjedhjes.

Ndërsa boja ishte ende duke u tharë, Presidenti i ShBA e shiti atë si një fitore jo për Serbinë dhe Kosovën, por për Izraelin dhe fqinjët e tij arabë.

“Një ditë tjetër e shkëlqyer për paqen me Lindjen e Mesme – Izraeli dhe Kosova me shumicë myslimane kanë rënë dakord të normalizojnë lidhjet dhe të vendosin marrëdhënie diplomatike,” shpalli ai në Tëitter. “Bravo! Më shumë kombe islamike dhe arabe do të pasojnë”.

Tëeet-i mbështetet në njohjen e Izraelit nga Emiratet e Bashkuara Arabe në fund të gushtit dhe krijon perceptimin se Kosova është diku në Lindjen e Mesme dhe e identifikon veten si një shtet mysliman.

Shumica e amerikanëve nuk e dinë se ku ndodhen Kosova dhe Serbia, aq më pak çështjet që i ndajnë ato. Por audienca e synuar është një nën-seksion i votuesve në shtetet e luhatura; përkatësisht, komunitetet hebraike në Florida dhe Pensilvani dhe shqiptarët etnikë që jetojnë në Michigan.

Sipas një sondazhi të fundit të CNBC / Change Research, Presidenti Trump aktualisht po ndjek rivalin e tij Demokrat Joe Biden me 46 deri 49 përqind në Florida, 46 deri 50 përqind në Pensilvani dhe 43 deri 49 përqind në Miçigan.

Komuniteti hebre në ShBA ka votuar tradicionalisht demokratët, por politika e jashtme ndaj Izraelit mbetet një shqetësim kryesor. Trump shpreson që njohja e Izraelit nga një tjetër vend i ashtuquajtur mysliman – Kosova – do të bindë mjaft votues hebrenj për t’i dhënë atij një hov kritik. Në 2016, Trump fitoi Pensilvaninë me një diferencë prej 0.72 përqind dhe Floridën me 1.2 përqind.

Në Michigan, të cilin Trump fitoi në 2016 me 10,704 vota, udhëheqësit e komunitetit etnik shqiptar me lidhje me Kosovën pretendojnë se kanë afërsisht 32,000 votues të regjistruar, përfshirë pronarë të bizneseve të vogla me prirje drejt Partisë Republikane që i japin rëndësi të madhe statusit dhe fatit të Kosovës.

Nënpresidenti Pence dhe udhëheqës të tjerë të lartë të qeverisë u takuan në maj me një grup të quajtur Shqiptaro-Amerikanët e Michigan-it për Trumpin dhe i siguroi ata se ShBA do të marrë parasysh shqetësimet e tyre, veçanërisht në lidhje me ndarjen e Kosovës, në çdo marrëveshje përfundimtare Serbi-Kosovë.

Me çështjen e ndarjes të lënë mënjanë, dhe premtimin e ndihmës ekonomike shumë të nevojshme për Kosovën të përfshirë, Trump shpreson që mjaft votues shqiptaro-amerikanë të binden që ta kthejnë Michigan përsëri të kuq (Republikan).

Një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet Trump janë kredencialet e tij të diskutueshme të politikës së jashtme dhe pretendimi i tij për të qenë një negociator i shkëlqyeshëm. Marrëdhëniet midis ShBA dhe Europës kanë shkuar nga e keqja në më të keqe dhe Trump ka shprehur përbuzje për europianët. Ai nxori ShBA nga Marrëveshja e Parisit për ndryshimin e klimës dhe e quajti G7 dhe të vjetëruar dhe NATO “të harruar”.

Marrëveshja Serbi-Kosovë e ndihmon Trumpin të argumentojë se ai bëri përparim atje ku Europa dështoi dhe hoqi një rrëmujë që demokrati Bill Clinton la pas pasi NATO ndërhyri në Kosovë 21 vjet më parë.

Rajoni i Ballkanit është i brishtë dhe një numër vendesh janë një palë zgjedhje larg të kthyerit në shtete të kapura. Ndërsa pjesë e zgjidhjes për të forcuar demokracinë është që Bashkimi Europian të shpejtojë procesin e pranimit, është e dyshimtë që kjo do të ndodhë duke pasur parasysh ndarjet dhe trazirat aktuale të brendshme të BE. Angazhimi i SHBA është thelbësor për të promovuar stabilitetin dhe për të siguruar mbështetje.

Trump bëri një hap dhe u angazhua përsëri – por thjesht me kushtet e tij. Ai shkroi skenarin, përzgjodhi aktorët dhe drejtoi shfaqjen për të promovuar qëllimet e tij politike – më shumë se sa për të siguruar një rajon më demokratik dhe të qëndrueshëm të Ballkanit.

*Fron Nahzi është Drejtori i Lartë i Zhvillimit Global në Institutin McCain për Lidershipin Ndërkombëtar në Universitetin Shtetëror të Arizonës.

**Përkthimi: Politiko.al. Marrë nga balkaninsight.

SHKARKO APP