Gazeta Express u përgjigjet akuzave të Rexhep Qoses

Qosja shndërrohet në revolucionar vetëm në momentin kur pushojnë se ekzistuari arsyet financiare. Është normale që të pikëllohesh nga vdekja e Astrit Deharit, por si është e mundur që nuk të kishte penguar vrasja e Xhemail Mustafës dhe dhjetëra zyrtarëve të tjerë të vrarë pas luftës?

Atëherë kur ishte koha për gjak, Rexhep Qosja e kishte rruar mjekrën dhe ishte përvjedhur me masën për të ikur deri në Maqedoni. Por fillimisht kishte qëndruar në llucën e Bllacës pa pikën e dinjitetit.

Nuk kishte vonuar shumë dhe çdo gjë kishte përfunduar. Falë ndërhyrjes së trupave të NATO-s, të nxitura nga lufta e UÇK-së, edhe Qosja, bashkë me gra e me fëmijë, ishte kthyer në shtëpinë e tij në Prishtinës, siç i thonë fjalës, pa therë në këmbë.

Sikur të mos kishte ndodhur asgjë, sikur të mos kishte qenë ky i pari që e kishte braktisur vendin e tij, Qosja u kthye nga refugjatllëku më trim se kurrë.

Pas luftës, de fakto, erdhën në pushtet të dashurit e tij, krahu i luftës, që besonin që ideologu i “Revolucionit të vonuar demokratik” ishte shkrimtar i përmasave ndërkombëtare. Ata po e dëgjonin Qosen duke kërkuar koka. Po shpallte tradhtarë në të majtë dhe në të djathtë. Po miratonte vrasjet e shkrimtarëve. Po heshtte kur po vriteshin ata. Nuk po e drejtonte gishtin në asnjë drejtim. Kështu për shembull kur u vra Xhemail Mustafa as nuk e akuzoi shtetin e as pushtetin, siç po bën tash për Astrit Deharin. Nuk bëri kështu as kur u vranë me dhjetëra të tjerë zyrtarë të LDK-së. Përkundrazi, ai po e kërkonte kokën kryesore, atë që e la Qosen në margjina, kokën e Ibrahim Rugovës. Sepse Qosja mendonte që pushtetin duhet ta marrin, edhe de jure, ata që e fituan luftën.

Kush?

Forcat e KFOR-it?

I mundur në të gjitha drejtimet, Qosja u ngujua në shtëpinë e tij në “Kodër të Diellit”, duke e pritur momentin e tij politik. Jo të tijin, sepse ai kishte mbaruar, por të shokëve të tij, gjë e cila edhe ndodhi, për turpin e tij. Qosja pastaj u shndërrua në shkrimtar të oborrit, rol të cilin ai e kishte kryer edhe në kohën e Josip Broz Titos. Sikur në kohën e Titos, edhe në kohën e Thaçit, Qosja u shpërblye për shërbimin e tij. Për librat e tij ai mori qindra mijëra euro. Për çfarë librash? Ato që edhe më tutje synim të vetëm kanë vetëm një treg – atë shqiptar. Sigurisht që për tirazh nuk vlen të flitet.

Në këtë mënyrë, për disa vite me radhë, Qosja po kujdesej për reputacionin e Thaçit, kurse Thaçi për mirëqenien e Qoses. Në momentin e parë kur përfundoi tagjia, Qosja iu kthye revolucionit. Filloi ta godiste Qeverinë. Në fakt jo gjithë Qeverinë. Vetëm njërën pjesë, atë të LDK-së. Shih ironinë! Sulmon Isa Mustafën për kohën e Jugosllavisë. Në anën tjetër në gazetën “Rilindja” qëndron monumenti i tij i turpit, elozhi që ai i thur një diktatori, Josip Broz Titos, kur ky i fundit kishte vdekur.

Pra, Qosja është revolucionar vetëm në momentin kur nuk ka arsye financiare për të qenë me pushtetin. Nuk ka lidhje çfarë është pushteti. Ai u është përkulur të gjitha pushteteve. Tek e fundit, a keni dëgjuar që ndonjëherë Qosja është arrestuar, burgosur, ose keqtrajtuar, prej cilitdo pushtet?

Tash së fundmi, dje, sikur Veton Surroi pardje, Qosja, në mes tjerash, duke folur për vdekjen e dyshimtë të Astrit Deharit, kishte sulmuar “Gazetën Express”, që, sipas tij, është një medie e kriminalizuar, vegël e pushtetit, që vret.

Madje, çfarë qyqarllëku, Qosja në mënyrë të përveçme e përmend vetëm “Gazetën Express” si pjesëmarrëse në krim. Sepse ai nuk guxon, për arsye të kuptueshme, që të lëshohet me emra konkretë politikanësh, që mund të kanë përgjegjësi në këtë vrasje. A e ka dëgjuar dikush prej jush Qosen duke akuzuar në mënyrë konkrete Hashim Thaçin? Po Kadri Veselin? Po Xhavit Halitin? Nuk e keni dëgjuar pra! Sepse ndaj tyre ka borxhe të shumëfishta. Ai godet vetëm atje ku është më lehtë, dhe më pa pasoja.

Sido që të jetë, “Gazeta Express”, edhe po të donte, nuk do të mundë ta ndëshkonte Qosen më shumë dhe më rëndë sesa e ka ndëshkuar qytetari i Kosovës. Ai kurrë nuk kishte arritur që të merrte pëlqimin e më shumë se 2 për qind të tyre.

Po ashtu, “Gazeta Express” edhe po të donte nuk do të mundë t’ia nxinte jetën më shumë sesa çmimet në letërsi të Ismail Kadaresë. Këtë të fundit Kadare e ka shpallur rival në mënyrë të njëanshme.

“Gazeta Express”, duke e konsideruar Qosen shkrimtar të përmasave komunale, i dëshiron këtij të fundit pleqëri të lehtë dhe jetë të gjatë. Sigurisht në Shqipëri kanë ngelur edhe më tutje bashki, ose komuna, që do të mundë ta nderonin edhe më tutje shkrimtarin tonë të madh. Kanë ngelur edhe më tutje çmime që do të mundë t’i rrëmbejë, por asnjëherë përtej rajoneve ku nuk flitet shqip.

SHKARKO APP