Gazetarja kosovare kritikon Ramën për minishengenin: S’duhej të futej në lojën e Vuçiç
Gazetarja Arbana Xharra shprehet me tone kritike ndaj nismës për minishengenin ballkanik.
Në një lidhje me Skype për RTV Ora, Xharra thotë se kryeministri Rama nuk duhet të binte në kurthin e Serbisë për t’i mbajtur lojën Vuçiç për të dëmtuar Kosovën.
Sipas saj hapja e tregjeve të Shqipërisë për produktet serbe shkon kundër vendimarrjes politike të Kosovës për taksën 100 përqind dhe kjo sipas Xharrës është një gabim i madh.
Arbana Xharra: Unë mendoj se nuk duhet të futet në këtë lojë që fatkeqësisht është duke i prirë dhe kryeministri i Shqipërisë. Kjo favorizon me të madhe Serbinë. Duhet marrë parasysh se çdo ecje e shpejtë e integrimit të Serbisë do të lërë prapa Kosovën. Edhe hapja e tregut që u bëhet produkteve të Serbisë në Shqipëri është një gabim shumë i madh sepse po devalvon edhe taksën që i dha Kosova. Kjo është taksë politike. Ne e dimë që ky është një presion që po i bëhet Serbisë edhe të njohë pavarësinë e Kosovës. Nuk është dashur që të futet në lojën e Vuçiçit kryeministri Rama. Ne e dimë që kjo marrëveshje është një mesazh pakënaqësie që Shqipëria dhe Maqedonia po provojnë t’i dërgojnë BE-së për hapjen e negociatave me BE-në. Në këtë marrëveshje përfiton më së pakti Kosova.
Gazetarja thotë se inkurajon dhe mbështet mospjesëmarrjen e liderëve të Kosovës në samitin e Ballkanit.