Gazi lotsjellës, presidenti austriak s’flet dot në Kuvendin e Kosovës

 

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, theksoi sot se bllokimi i dhunshëm dhe antidemokratik i punës së Kuvendit nuk do të mundësojë që presidenti i Austrisë, Heinz Fischer, t’u drejtohet më një fjalë deputetëve në Kuvend.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Veseli shprehet se “këtë javë kemi një mysafir të veçantë në Kuvendin e Kosovës, presidentin e Austrisë Heinz Fischer. Ishte dëshira e tij, e një miku të nderuar të vendit tonë, që t’u drejtohet me një fjalë rasti të zgjedhurve të popullit të Kosovës. Fatkeqësisht, kjo nuk do të ndodhë. Arsyet janë të qarta dhe të kuptueshme, bllokimi i dhunshëm dhe antidemokratik i punës së Kuvendit. A është kjo është alternativa e opozitës për vendin? Të izolojë Kosovën dhe ta lërë atë pa miq në këtë botë të trazuar? A është kjo tradita jonë e mikpritjes kur të vjen miku në shtëpi për të nderuar dhe ti nuk ke mundësi ta nderosh?”.

Presidenti i Austrisë, Heinz Fischer, do të qëndrojë këtë javë në Kosovë për një vizitë zyrtare. Gjatë vizitës, ai do të sjellë me vete investitorë austriakë, të cilët krahas me bizneset kosovare do të zhvillojnë një forum ekonomik për të diskutuar mundësitë e investimit në Kosovë.

Në kuadër të kësaj vizite do të nënshkruhen një sërë marrëveshjesh në fushën e ekonomisë dhe të mjekësisë. Ai do të pritet nga Presidentja Atifete Jahjaga, si dhe do takohet me Presidenten kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministrin Isa Mustafa. Axhenda do të përmbyllet me një vizitë në qytetin e Prizreni.

SHKARKO APP