Gërvalla kallëzim penal ndaj ministres serbe
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla dorëzoi kallëzim penal ndaj ministres në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq. Në profilin e saj zyrtar, Gërvalla bëri të ditur se ka kërkuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe të procedojë me aktakuzë dhe kërkesë për shqiptimin e dënimit nga Gjykata kompetente.
Ajo tha se deklarata të tilla mbajnë pasoja të rënda historike të luftës së fundit në Kosovë. “Sot kam deponuar kallëzimin penal ndaj Snezhana Paunoviq. Republika e Kosovës nuk hesht dhe asnjëherë nuk përkulet para gjuhës së urrejtjes, thirrjes e nxitjes për përçarje dhe mosdurimit. Nuk ka hapësirë për glorifikimin e spastrimit etnik, relativizimin e gjenocidit e krimeve monstruoze serbe dhe përhapjen e narrativave që synojnë cenimin e paqes, sigurisë dhe bashkëjetesës ndëretnike.
Deklaratat publike që synojnë të justifikojnë spastrimin etnik dhe dëbimin e një populli nuk mund të trajtohen si retorikë e zakonshme politike. Ato mbajnë pasoja të rënda historike, juridike e njerëzore. Për këtë arsye, në cilësinë e Ministres së Drejtësisë kërkova nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit që, në kuadër të kompetencave ligjore, të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe të procedojë tutje me aktakuzë dhe kërkesë për shqiptimin e dënimit nga Gjykata kompetente. Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera ndaj popullit tonë gjatë luftës në Kosovë”, shkroi Gërvalla.
Më 12 korrik 2026, gjatë një interviste të dhënë medias serbe “Kurir” në cilësinë e ministres në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq ka deklaruar: “Po të isha unë Sllobodan Millosheviq do ta kisha bërë spastrimin etnik të Kosovës në vitin 1998.” Paunoviqin, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas deklaratës së saj, ka shpallur të njëjtën person non grata, me ndalim të përhershëm të hyrjes në apo kalimit tranzit përmes Kosovës. /Kosovapress/
KOHA JONË SONDAZH

