Gjykata e re e Kosovës, shqetësimet për mbrojtjen e dëshmitarëve
Mbrojtja e dëshmitarëve që dëshmojnë për luftën në Kosovë ka qenë prej kohësh një sfidë e madhe, por Gjykata Speciale e Kosovës me bazë në Hagë beson se ajo mund të jetë e suksesshme aty ku të tjerë dështuan.
“Jam i detyruar të mbroj dëshmitarët dhe të mbaj konfidenciale dhe të sigurta të gjitha informacionet që duhet të jenë të tilla, që të sigurohem që dëshmitarët që japin fakte të mos kanosen, lëndohen apo kërcënohen,” tha prokurori amerikan David Schwendiman në konferencën e tij të parë për shtyp muajin e kaluar si kryeprokuror i Dhomave Speciale.
Kjo gjykatë e re, me bazë në Hagë, synon të ndjekë penalisht krimet e kryera nga anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga viti 1998 deri në vitin 2000, dhe mbrojtja e dëshmitarëve do të jetë një nga sfidat e saj kryesore, siç pohoi edhe Schwendiman.
“Nuk do të diskutoj apo tregoj asnjë informacion për dëshmitarët tanë, as do të diskutoj mjetet dhe metodat për mbrojtjen e atyre që janë të cënueshëm për shkak të rolit të tyre në hetimet tona apo në ndonjë ndjekje penale,” këmbënguli ai pasi u pyet se si gjykata e re do të sigurohet që dëshmitarët të mos kanosen.
Dështimi i institucioneve vendase dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë për të garantuar sigurinë e dëshmitarëve dhe për të ndjekur penalisht krimet e luftës pa ndërhyrje politike ishte një nga arsyet kryesore pse Bashkimi Europian, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, vendosi të ngrinte gjykatën e re hibride, e cila zyrtarisht quhet Dhomat Speciale dhe Zyra e Prokurorit Special të Kosovës.
Gjykata do të ketë gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë, por do të punojë bazuar në ligjin e Kosovës dhe pritet të fillojë aktivitetin e saj të parë gjyqësor në fillim të vitit që vjen. Ajo po pret thjesht miratimin e parlamentit holandez para se të lëshojë paditë e para.
Hera e katërt fatlume për prokurorët?
Gjykata do të jetë përpjekja e katërt nga komuniteti ndërkombëtar për t’u siguruar se krimet e kryera nga zyrtarë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, grupi guerilas që luftoi për pavarësi nga Serbia në fund të viteve 1990, të ndiqen penalisht.
Gjatë 17 viteve të fundit, që kur mbaroi lufta, komuniteti ndërkombëtar ka administruar drejtësinë në Kosovë, por rezultatet e tij kanë qenë të dobëta – më pak se 20 vendime përfundimtare në raste krimesh lufte.
Konflikti në Kosovë shpërtheu në vitin 1998, kur UÇK-ja luftoi policinë serbe në një përpjekje për të fituar pavarësinë e krahinës nga Jugosllavia. Lufta u përshkallëzua në vitin 1999, kur NATO-ja filloi një ofensivë kundër forcave jugosllave të Sllobodan Millosheviçit, dhe rreth 10,000 shqiptarë të Kosovës u vranë dhe 700.000 të tjerë u dëbuan.
Edhe pse lufta zyrtarisht përfundoi në qershor të vitit 1999, dhuna vazhdoi, ndërsa hakmarrja ra mbi serbët e Kosovës për krimet e kryera nga forcat e Beogradit. Rreth 200,000 serbë u larguan nga Kosova, dhe 1,666 persona, si shqiptarë ashtu edhe serbë, mbeten ende të zhdukur.
Që atëherë, disa organe të administruara nga ndërkombëtarë janë marrë me ndjekjet penale të krimeve të kryera nga viti 1998 deri në vitin 2000.
Fillimisht ishte Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY, e cla pati pesë çështje që kishin lidhje me luftën në Kosovë.
Në vetë Kosovë, Kombet e Bashkuara ngritën misionin e tyre, UNMIK, i cili supozohej të trajtonte krimet e kryera nga autor krimesh të nivelit të ulët. Nga viti 2008 e në vazhdim, misioni i sundimit të ligjit të BE-së, EULEX, vazhdoi punën e UNMIK-ut dhe trajnoi prokurorë vendas që të merreshin me krimet e luftës kur të mbarojë misioni i BE-së.
Paralajmërimet e para për kanosje dëshmitarësh
Prokurorja e parë që foli hapur për kanosje dëshmitarësh në çështjet e Kosovës dhe problemet që ekipi i saj po haste ishte Carla Del Ponte, e cila ishte kryeprokurore e ICTY-së nga viti 1999 deri në vitin 2007.
Del Ponte tha se “hetimi i luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dukej më i vështiri nga të gjitha hetimet që kishte kryer ICTY-ja”.
Në librin e saj “Zonja Prokurore”, të botuar në vitin 2009, ajo shkroi se “dëshmitarët kishin aq shumë frikë dhe ishin kanosur deri në atë pikë saqë madje kishin frikë të flisnin për praninë e UÇK-së në disa zona, pa përmendur vetë krimet”.
“Ata që ishin të gatshëm të dëshmonin u desh të transferoheshin në vende të tjera me gjithë familjet e tyre dhe shumë shtetet nuk dëshironin t’i pranonin ata,” shtoi ajo.
Pas luftës në vitin 1999, Kosova nuk kishte një forcë policore dhe misionet e KFOR-it dhe UNMIK-ut nuk arrinin të garantonin siguri.
“Jam e bindur se oficerët e UNMIK, madje edhe ata të KFOR druheshin për jetët e tyre dhe ato të anëtarëve të misioneve të tyre. Mendoj se disa gjyqtarë të ICTY-së druheshin se do të shndërroheshin në shënjestër për shqiptarët,” shkroi Del Ponte.
Në kujtimet e saj, si edhe në raportet e saj të shumta në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Del Ponte tha se ajo beson se kanosja e dëshmitarëve cënoi seriozisht vendimet e çështjeve në Hagë kundër dy zyrtarëve të lartë të UÇK-së, Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj – të cilët u liruan të dy nga akuzat.
Dëshmitarë të shumtë ndryshuan dëshmitë gjatë gjyqeve, ndërsa të tjerë vdiqën në rrethana misterioze.
Gjatë çështjes gjyqësore kundër Ramush Haradinajt, një dëshmitar u gjet i vdekur, i cili, sipas hetimit zyrtar, ishte rezultat i një aksident me makinë.
ICTY në vitin 2005 dënoi Beqa Beqaj, i afërmi i një prej njerëzve të akuzuar të UÇK-së, me katër muaj burg për shkak se ai ndërhyri tek dy dëshmitarë, duke kërkuar që ata të tërhiqnin dëshmitë në rastin kundër Limajt.
Në vitin 2008, ICTY dënoi Bajrush Morinën, një zv/ministër kulture në Kosovë, për shkak se ndërhyri në administrimin e drejtësisë duke i bërë presion një dëshmitari të mbrojtur që të mos dëshmonte për prokurorinë në gjyqin e Haradinajt.
Baton Haxhiu, ish-redaktor në Kosovë, u dënua gjithashtu nga ICTY-ja për nxjerrje të emrit të një dëshmitari të mbrojtur dhe u gjobit me 7000 euro.
Në të njëjtën kohë, sipas Del Pontes, në Kosovë kanë ndodhur gjithashtu abuzime serioze të dëshmitarëve në çështje lokale.
Në vitin 2002, poshtë makinës së një dëshmitari ishte vendosur një bombë. Një vit më vonë, dëshmitari Tahir Zemaj u vra në qytetin e Pejës pasi dëshmoi në gjyqin e një zyrtari të lartë të UÇK-së, ndërsa dy dëshmitarë të tjerë në të njëjtin gjyq, Sadik Musaj dhe Ilir Selamaj, u vranë gjithashtu.
Disa nga personeli i UNMIK-ut i konsideruan zyrtarë të UÇK-së si tepër të rëndësishëm në stabilitetin në Kosovë, si Soren Jessen Petersen, ish-kreu i misionit të OKB-së.
Gjatë viteve që Peterseni ishte kreu i UNMIK-ut, nga viti 2004 deri në vitin 2006, prokurorët e ICTY madje e akuzuan misionin e tij se nuk kishte siguruar mjaftueshëm dokumente dhe bashkëpunim për ndjekjet penale.
Del Ponte më tej pohoi se UNMIK madje nxori informacione të ndjeshme në lidhje me dëshmitarë të të pandehurve për krime lufte.
UNMIK i mohoi akuzat, por shefat e tij më vonë pranuan se disa nga hetimet ndaj autorëve të niveli të lartë u ndaluan për arsye politike.
Misioni i UNMIK-ut u kritikua ashpër për vite me radhë, sidomos pas dështimit për të ruajtur paqen dhe disa trazirash të dhunshme që lanë shumë të vdekur. ICTY më në fund i përfundoi hetimet e saj në Kosovë, por mbeten ende për t’u ndjekur penalisht shumë raste krimesh lufte.
Në vitin 2008, komuniteti ndërkombëtar vendosi t’ia japë këtë detyrë shqetësuese një misioni të ri, këtë herë të drejtuar nga BE-ja.
Misioni i sundimit të ligjit të BE-së, EULEX, kishte një detyrë të vështirë – në njërën anë, duhet të fitonte besimin e vendasve dhe nga ana tjetër duhet të ishte i pavarur nga elita e fuqishme e cila kishte drejtuar Kosovën që nga lufta, nën hijen e krimeve të dyshuara që ata kryen në vitin 1999 dhe më pas.
Edhe pse shumë njerëz vënë në pyetje arritjet e misionit të BE-së, mandati i të cilit skadon në vitin 2018, ai kishte të dhëna më të mira sesa paraardhësit e tij kur vjen puna te ndjekjet penale të krimeve të luftës.
Por programi i tij për mbrojtjen e dëshmitarëve mori një goditje pasi një nga dëshmitarët e saj kyç në gjyqin kundër lideri të UÇK-së Fatmir Limaj vdiq në një park në Gjermani. Një hetim i kryer zbuloi se dëshmitari Agim Zogaj vrau veten, por incidenti nuk inkurajoi dëshmitarë të tjerë të mundshëm të dëshmonin në procedura gjyqësore të drejtuara nga EULEX-i.
Dëshmitarët të izoluar nga komunitetet lokale
Çështja më sfiduese për EULEX-in ishte të sigurohej që dëshmitarët të mos ndryshonin dëshmitë e tyre gjatë hetimit dhe në gjyq.
Charles Hardaway, njëri prej prokurorëve kryesorë të EULEX-it në çështjen kundër anëtarëve të UÇK-së të quajtur Grupi i Drenicës, të cilët u dënuan për krime lufte vitin e kaluar, tha për BIRN se kanosja e dëshmitarëve mbetej një problem serioz.
“Sfida themelore në këtë çështje ishte përballja me kanosjen e dëshmitarëve dhe të kishe të bëje me ata që kishe të bëje, kanosja është problemi i vërtetë, jo vetëm në këtë rast, por edhe në çështje të tjera të profilit të lartë,” tha Hardaway.
Sipas Anka Kurteshi Hajdarit, e cila drejton projektin e monitorimit të gjykatave në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë, shumica e dëshmitarëve ndryshojnë dëshminë e tyre gjatë gjykimeve, duke mohuar atë që thoshin gjatë fazës së hetimit.
“Ky është rezultat i efekteve të komunitetit në të cilin ata apo familjet e tyre jetojnë. Kosova është një territor i vogël, të gjithë e njohin njëri-tjetrin dhe në këto kushte, është e vështirë të fshehësh identitetin e dëshmitarëve. Kjo do të thotë në shumicën e rasteve, ose njerëzit refuzojnë të dëshmojnë ose ndryshojnë dëshmitë e tyre,” tha Kurteshi Hajdari.
Sipas Kurteshi Hajdarit, dëshmitarët kritikohen ashpër nga komunitetet në të cilat ata jetojnë, sidomos nëse ata dëshmojnë në gjyqe të profilit të lartë.
Një studim i publikuar në vitin 2015 nga OJQ-ja Qendra për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim në Prishtinë tregoi gjithashtu se dëshmitarët përballen me rrezikun e izolimit nga ana e shoqërisë.
Nora Ahmetaj, një eksperte e drejtësisë tranzicionale që raportoi për abuzimet e të drejtave të njeriut gjatë dhe pas luftës, pranoi se dëshmitarët në Kosovë deri më tani “kanë qenë “jo të besueshëm dhe shpesh ndryshojnë dëshminë e tyre”.
“Ka dy arsye pse kosovarët ngurojnë të dëshmojnë kundër ish-anëtarëve të UÇK-së. Shqiptarët e Kosovës i respektojnë dhe deri në një nivel të caktuar, i lartësojnë ish-veteranët e UÇK-së. Lartësimi i komandantëve të UÇK-së e bën dëshminë kundër tyre një akt “tradhtie”,” shpjegoi Ahmetaj.
Arsyeja tjetër është se “siguria e individëve që pranojnë të dëshmojnë në rastet e krimeve gjatë kohës së konfliktit të armatosur është e dobët, për të mos thënë më keq,” tha ajo.
“Programi i mbrojtjes së dëshmitarëve në Kosovë ka dështuar në disa raste të ofrojë siguri dhe anonimitet për dëshmitarët në çështje të ndjeshme. Deri kur të garantohet siguria e dëshmitarëve, nuk është çudi që kosovarët të hezitojnë të bëjnë një hap para, sidomos në një shoqëri aq të vogël dhe ngushtë si ajo e Kosovës,” shtoi ajo.
Gjykata e re përballet em probleme të vjetra
Dhomat e reja Speciale është ndryshe nga përpjekjet e mëparshme për të sjellë autorët para drejtësisë për krimet e kryera gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi, sepse ajo në thelb fokusohet në njërën anë në luftë, tek UÇK-ja.
Sipas Aidan Hehir, një lexues në Universitetin e Uestminsterit dhe autor i librit “Kosova, Ndërhyrja dhe Ndërtimi i shtetit”, për shkak se Perëndimi mbështeti pavarësinë e Kosovës, përpjekjet e mëparshme për të ndjekur penalisht “u ndaluan nga nevoja për të ruajtur një narrativë të veçantë, kryesisht versionin që “të këqijtë” ishin vetëm serbët”.
Hehir tha se të pranoje pas bombardimeve të NATO-s se UÇK-ja kreu krime lufte “do të hidhte shumë dyshime mbi legjitimitetin e ndërhyrjes së NATO-s dhe këmbëngulja e mëvonshme për ta bërë Kosovën të pavarur”.
Kjo do të mund të shkaktonte gjithashtu tensione midis “ndërkombëtarëve” dhe ish-zyrtarëve guerilas që u bënë liderë politikë në Kosovën e pas luftës, si Hashim Thaçi, i cili ka mbajtur pushtetin në forma të ndryshme që nga viti 1999 dhe tani është president.
Një raporti i vitit 2011 i Këshillit të Evropës e përmendi Thaçin si një nga personat kyç në rrjetin e dyshuar kriminal përgjegjës për krime kundër serbëve, romëve dhe shqiptarëve që ishin shënuar si bashkëpunëtorë ose kundërshtarë politikë të UÇK-së.
Bazuar në këtë raport, BE-ja ngriti një grup të posaçëm pune për të hetuar dhe vendosi në vitin 2014 se kishte mjaftueshëm material që disa ish-zyrtarë të UÇK-së të paditeshin nga Dhomat e reja Speciale.
Thaçi gjithmonë i ka mohuar akuzat dhe ai ka mbështetur publikisht punën hetuese të grupit të punës si edhe ngritjen e gjykatës së re.
Por me paditë e ish-figurave të larta të UÇK-së të cilët mund të jenë politikanë të nivelit të lartë në Kosovë që priten në muajt e ardhshëm, është e qartë që mbrojtja e dëshmitarëve duhet të mbetet në qendër të vëmendjes së gjykatës nëse ajo do të jetë e suksesshme.
Sipas burimeve të BIRN, disa dëshmitarë që priten të dëshmojnë janë shpërngulur nga Kosova në vende të tjera për të garantuar sigurinë e tyre.
BIRN