Gjykata në Colmar nuk do marrë vendim për Haradinajn?
Beograd – Gjykata e Apelit në Colmar, që do të marrë vendim lidhur me kërkesën e Serbisë për ekstradimin e Ramush Haradinajt, nesër, sipas të gjitha gjasave, nuk do të marrë vendim për kërkesën.
Kjo i është thënë agjencisë Tanjug në gjykatën franceze. Siç u tha, vendimi ndoshta do të shtyhet për një seancë tjetër.
Në seancën e gjykatës, e cila është planifikuar për të enjten në orën 13 do të diskutohen përgjigjet e mundshme nga Ministria e Drejtësisë e Serbisë për pyetjet e gjykatës, tha në një deklaratë për Tanjug zëdhënësesja e gjykatës, Sandra di Rosa, raporton B92.
E pyetur se çfarë mund të pritet në seancën e nesërme, ajo tha se trupi hetimor ka të ngjarë të shtyjë vendimin për shkak të shqyrtimit në një seancë tjetër.
Ministria serbe e Drejtësisë dhjetë ditë më parë i ka dërguar gjykatës franceze përgjigjet e pyetjeve shtesë të dhëna nga Zyra e Prokurorisë së Serbisë për krimet e luftës, e cila po heton Haradinajn si “të dyshuar për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë”.