Gjykata Speciale mund t’i mbyllë shumë biznese

 

Sundimi i rendit dhe ligjit është kushti kryesorë që investitorët t’ia mësyejn Kosovës. Por nëse edhe ligji nis të zbatohet siç duhet shumë biznese rrezikojë të shuhen. Për këtë arsye shumë politikan e afarist kosovarë po i druhen themelimit të Gjykatës Speciale.

Krejt kjo për shkak të lidhjeve të ngushta të politikës me biznesin. Njohësit e ekonomisë thonë se afaristet duke i shfrytëzuar zbraztirat ligjore dhe me përkrahje të politikës kanë arritur të krijojnë kapital të madh.

“Kur politikanët kanë hise të madhe ne ekonomi, ashtu sikurse në rastin e Kosovës, çfarëdo që u ndodh atyre, qoftë për mirë ose për keq, ka ndikim edhe në ekonomi”, ka thënë drejtori i instituitit GAP Agron Demi për gazetën Fjala.

Demi merr shembull se si në Indonezi kur Suharto kishte probleme shëndetësore bizneset e të afërmeve të tij pësonin rënie në bursë.

“Nuk dua të keqkuptohem, nuk po i krahasoj liderët politik kosovarë me regjimin e Suhartos, por Indonezia dhe vende tjera mund të merren si shembull se çfarë u ndodh bizneseve në rastet kur liderët politik kanë lidhje të ngushta me bizneset e mëdha”, thotë Demi.

E sipas tij në Kosovë, liderët politik janë indirekt hisedarë edhe në biznese.

Edhe drejtori i Odes Ekonomike Amerikane, Arian Zeka thotë se politika duhet ti largoj duart nga biznesi dhe afaristët. Ai mendon se organet e drejtësisë duhet ti hetojnë të gjitha rastet e raportuara të krimeve ekonomike ku mund të ketë edhe përfshirje të zyrtarëve politikë të vendit.

“…ajo çfarë është e rëndësishme të thuhet është që organet përgjegjëse të akuzës duhet të hetojnë të gjitha rastet e raportuara të krimeve ekonomike ku mund të ketë edhe përfshirje të zyrtarëve politikë të vendit. Hetimi dhe ndëshkimi i krimeve të tilla do të krijonte parakushte për një ekonomi të mirëfilltë të tregut e cila ofron dhe garanton rregulla të barabarta të operimit për të gjitha bizneset dhe e cila mundëson fuqizimin e bizneseve të vogla dhe të mesme”, thotë Zeka.

Sipas tij e rëndësishme është që të shihet një sundim i mirëfilltë i ligjit në të gjitha hallkat institucionale dhe shoqërore. “ tregues ky i rëndësishëm që vendi është i denjë për integrimet euro-atlantike, e rrjedhimisht edhe për tërheqjen e investitorëve të huaj seriozë”.

Kurse i pari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu thotë se vetëm sundimi i rendit dhe ligjit do të krijojë ambient të favorshëm për bizneset.

“Emëruesi i përbashkët i zgjidhjes së të gjitha këtyre sfidave është sundimi I ligjit dhe në këtë drejtim sado që flitet për procese të ndryshme, sundimi i rendit dhe ligjit është katalizatori dhe mekanizmi më i mirë për të krijuar një ambient të volitshëm për të bërë biznes në Kosovë”, thotë Gerxhaliu.

Ai tregon se nëse qoftë se dyshohet dhe identifikohet se ka edhe biznese të involvuara në formë direkte dhe indirekte me politikën, atëherë me siguri do të ketë pasoja dhe impakte të cilat do të reflektohet. “…por sidoqoftë si Kosovë duhet të bazohemi në shtet ligjor dhe duhet të bazohemi në ekspertizë shkencore dhe vetëm përmes sundimit të rendit dhe ligjit mund të kemi barazi në treg, konkurrencë lojale dhe mund të kemi atraktivitet për investitorët e huaj për të investuar në Kosovë”, ka thënë Gerxhaliu për Gazetën Fjala.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës pas riprocedimit për votim të ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte javën e kaluar i kanë thënë “Po” amendamentit 24 kushtetues me 82 vota pro. Kjo gjykatë do të trajtoj krimet e pretenduara të UÇK-së, sipas raportit të Dick Martyt.

SHKARKO APP