Gjyqi i “grupit të Drenicës”: Lushtaku 12 vjet burg, 6 ndaj Selimit
Dy ish-luftëtarë të UÇK-së, pjesë e njohur si Grupi i Drenicës janë shpallur fajtorë nga gjykata për vepra dhe krime të kryera gjate luftës në Kosovë. Kryetari i Komunës Skenderaj, Sami Lushtaku u dënua me 12 vjet burg për vrasjen e një civili shqiptar në shtator të vitit 1998, ndërsa ish-ambasadori i Kosovës ne Shqipëri, Sulejman Selimi u dënua me 6 vjet heqje lirie për torturimin e një dëshmitari në zonën e Drenicës, po gjatë kohës së luftës. Trupi gjykues vendosi të shpallë të pafajshëm pesë persona të tjerë, të akuzuar për krime lufte ndaj popullsisë civile.
Të pafajshëm u shpallën Sabit Geci, Jahir Demaku, Avni Zabeli, Ismet Haxha dhe Sahit Jashari. Kryetari i trupit gjykues urdhëroi paraburgimin e menjëhershëm të Lushtakut dhe Selimit. Selimi ka qene pjesë edhe e procesit gjyqësor ndaj rastit “Drenica 2”, ku është dënuar gjithashtu me 8 vite burg. Edhe gjashtë persona të tjerë, që ishin nën akuzë, janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me nga 3 deri në 7 vite burg.