Haradinaj: Ja si shpëton Kosova

Në emër të lëvizjes së lirë po plaçkiten qytetarët e Kosovës. Dëmi nga Specialja do të jetë afatgjatë për Kosovën. Dërgimi i lëndës nga opozita në Kushtetuese është një automatizëm por nuk mbajmë shumë shpresë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Koalicion do ta bënim me partitë opozitare…  Janë këto disa nga qëndrimet që i ka shprehur lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj

Dërgimi i lëndës nga ana e tri subjekteve opozitare – Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën në Gjykatën Kushtetuese, e që konteston vendimin e Kuvendit të Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale, sipas kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj, është një veprim me automatizem, por nga i cili nuk pret që të ketë një përgjigje pozitive.

Lideri i AAK-së në një intervistë për KosovaPress ka folur edhe për shumë tema tjera, për reformat në AAK që tashmë janë në proces e sipër, për lëkundjen në koalicionin qeveritar PDK-LDK, e që sipas tij është koalicion vetëm për të pasur 2/3 në Kuvend lidhur me tema të ndjeshme.

Ai ka folur edhe për mbajtjen e një palë zgjedhjeve të reja, të cilat, sipas tij, do të ishin shpëtimi i vetëm për të dalë nga situata politike në vend.

Përkundër kundërshtimit të opozitës rreth themelimit të Gjykatës Speciale, ajo tashmë është fakt i kryer, dhe dërgimi i lëndës nga opozita në Kushtetuese, sipas Haradinajt duke pas parasysh vendimet e kaluar të këtij institucioni, e që sipas vlerësimit të tij kanë qenë kryekëput politike, ai nuk është optimist në marrjen e një përgjigjeje pozitive rreth kësaj çështjeje.

“Është më shumë një automatizëm. Ta quaj një veprim me automatizëm, një veprim i procedurave, se ne mendojmë që ka pas shkelje në parlament, ka pas edhe shkelje të qeverisë rreth kësaj materie, por nuk mbajmë shumë shpresë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për vet faktin se nuk mendojmë që është e lirë në vendimmarrje në të kaluarën me Gjykatën Kushtetuese që ka qenë tepër e instrumentalizuar”, tha Haradinaj.

Për Haradinaj emrat e spekuluar për gjykatën speciale ditëve të fu ndit janë informacione që ai nuk i ka, dhe për të nuk ka rëndësi se kush mund të jenë të akuzuarit nga kjo gjykatë që pritet të themelohet në muajt në vijim, por dëmi që do i bëhet vendit, e që sipas tij do të jetë dëm afatgjatë për Kosovën.

“Të them të drejtën, ne nuk kemi informatë me ditë çka ka çka nuk ka, nuk guxojmë me ra në spekulime, ndoshta rëndësia më e vogël është se kush janë këta njerëz, ose cili emër, sa unë mendoj që kjo Gjykatë është një barrë për Kosovën. Është një gabim, pra se vetëm Kosovës po i imponohet një Gjykatë e tillë, jo palëve të tjera në luftë, e meqenëse është selektive, gjykon vetëm shqiptar dhe vetëm ish-udhëheqës të UÇK-së ,pra është diçka e dëmshme për vendin. Do t’i shkaktojë dëme afatgjata Kosovës”, tha Haradinaj.

Temë e pashmangshme për të cilën është deklaruar Haradinaj është edhe fakti se ditëve të fundit ka pasur deklarata se atmosfera brenda koalicionit PDK-LDK nuk është më e mira e mundshme. Sipas tij ky koalicion i cilësuar shpeshherë i panatyrshëm është vetëm koalicion i 2/3 në parlament, atëherë kur bisedohet dhe duhet të merren vendime të ndjeshme për vendin.

“Mendoj që e vetmja matematikë pas këtij koalicioni ka qenë pikërisht kjo e 2/3 të votës për tema të ndjeshme, por nuk ka ndonjë motiv tjetër pse ekziston ky koalicion. Pra ekziston vetëm për votën e 2/3, për disa tema të ndjeshme për Kosovën. Ndërsa sa i përket qytetarëve të vendit, nuk shohin asnjë dobi nga një mënyrë e qeverisjes. Qeverisja Mustafa është më e dobët se qeverisja Thaçi, është një status-quo minus e gjendjes në vend dhe shpresoj që Kosovës do t’i jepet një mundësi që të shkojë sa më parë në zgjedhje”, theksoi Haradinaj.

Kreu i AAK-së tha se do të ishte e udhës që vendi të shkonte në një palë zgjedhje të reja, zgjedhje këto të cilat do të ndihmonin vendin të dilet nga gjendja, siç e ka quajtur ai, e pashpresë politike.

E, në rast se një gjë e tillë ndodh brenda kësaj vjeshte, Haradinaj përkundër përvojave të kaluara të hidhura me partinë e kryeministrit Isa Mustafa, do të donte të bënte koalicion me partitë opozitare.

“Jemi të gatshëm me i marr përgjegjësitë për ndryshim pas zgjedhjeve… Ne jemi më të afërt me partitë politike opozitare, ësh të e kuptueshme. Kur i mendojmë dhe shkaktarët ose përgjegjësit e gjendjes në vend, ju atribuojmë kritika dhe mendojmë që shkaktarë të gjendjes në vend janë partitë që janë në pushtet, në këtë rast PDK dhe LDK”, tha Haradinaj.

Marrëveshja e fundit e arritur në mes të Prishtinës zyrtare dhe Beogradit, lidhur me polisat kufitare, sipas liderit të AAK-së është një plaçkë që po u bëhet qytetarëve të Kosovës, gjë e cila sipas tij reflekton edhe për atë se si po zhvillohet në tërësi dialogu në mes të dy vendeve, dialog ky në të cilin, vlerësoi Haradinaj, ka mungesë të reciprocitetit.

“Është mirë me i bë një vlerësim këtij dialogu në tërësi… Mendoj që dialogut duhet t’i jepet një qëllim, është njohja reciproke Kosovë-Serbi, njohja si shtete, e pastaj të gjit ha temat tjera, përfshirë tabelat, përfshirë Policat, përfshirë çdo gjë zgjidhet në bazë të njohjes reciproke. Pra Kosova nuk duhet të pranojë që të mbetet peng i një procesi të tillë të vazhdueshëm, të marrëveshjeve që nuk janë reciproke, që nuk janë të barabarta e më të cilat humb qytetari i Kosovës. Pra sot qytetarit të Kosovës ju ka dhënë mundësia me qarkullu nëpër Serbi, por ju ka dhënë mundësia me u plaçkit për këtë qarkullim, pra është i plaçkitur vetëm për të drejtën e qarkullimit të lirë. Pra nuk është qarkullim i lirë”, tha Haradinaj.

I pari i AAK-së më tej tha se reforma brenda subjektit të tij është një proces që ka filluar që me procesin zgjedhor brendapartiak e po vazhdon edhe tani, ku në strukturat udhëheqëse të partisë ka pasur lëvizje të reja, e po ashtu edhe në degët e AAK-së nëpër Kosovë.

Haradinaj ka porositur spektrin politik në vend, që të j etë i vëmendshëm karshi situatave të reja që po vijnë për vendin, siç është demarkacioni me Malin e Zi, krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe, vendime për të cilat, sipas Haradinajt, nuk guxohet të gabohet, për shkak se pasoja do të kenë qytetarët e Kosovës dhe vetë Kosova në një periudhë kohore të gjatë.

SHKARKO APP