Haradinaj: Me Edi Ramën do shihemi në gjyq
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur sot lidhur me paralajmërimin e kryeministrit Edi Rama për padi ndaj tij.
“Edi Ramën e kam vëlla. I kam vëllezër e motra të gjithë shqiptarët. Por unë jam kundër ndarjes. Ky ka marrë pjesë në projektin e ndarjes. Ajo ndarja ka pasë me ba dëme në shtetësinë tonë. Pasi që të hapet Kosova e 17 shkurtit nuk ka më kthim pas. …Mbi 10 miliardë euro dëme do i bëheshin Kosovës në rezerva dhe minerale të Trepçës. Gjithsesi ai (Rama) për momentin është në pushtet, por nuk e ka të sigurt që do të qëndroj dhe mund ta humb atë. Shihemi në gjyqe”,- tha Ramush Haradinaj në një intervistë për televizionin “T7” në Prishtinë.
Sipas Haradinaj, “nëse dikush ka premtuar me dhënë Trepçën, atëherë ka pasur përfitime nga Serbia”.
Haradinaj i qëndron idesë së Edi Rama, bashkë me Hashim Thaçin kanë qenë pro idesë së ndarjes së territorit të Kosovës. Ai ka treguar se që prej takimit në Berlin nuk ka folur më me Ramën.
Një javë më parë, Edi Rama u shpreh se do të padisë Ramush Hadarinaj për deklaratën e tij, ku ka thënë se Hashim Thaçi, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç do të përfitonin 10 miliardë euro nga ndarja e Kosovës.