Haradinaj: Nuk kam besim te Kurti, nuk bëhemi pjesë e qeverisë së tij
Ramush Haradinaj ka përjashtuar mundësinë e përfshirjes e partisë së tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në koalicionin qeverisës me Vetëvendosjen.
Kryeministri në detyrë tha se nuk beson në aftësitë menaxheriale të Albin Kurtit duke shtuar se qeveria e tij do të zhgënjejë qytetarët.
“Ne jemi opozitë, ata i kanë fituar zgjedhjet dhe duhet të formojnë institucionet. Jemi opozitë, nuk e shohim vetën pjesë e Qeverisë Kurti”, tha Haradinaj. “Çdo herë kam thënë që kam dyshim në aftësitë e tij dhe mendoj që do të jetë një zhgënjim kjo qeveri. Nuk e kam thënë për arsye të caktuara personale, por e kam thënë në bazë të vlerësimit të punës. Duke e njohur edhe të rrethanat e Kurtit dhe koalicionit, nuk mendoj që do të jetë një qeveri që do t’i përmbushë pritjet e qytetarëve, për fat të keq do të jetë zhgënjim”, tha ai.
Haradinaj deklaroi gjithashtu se vonesa e formimit të qeverisë nuk i bën mirë vendit dhe përgjegjësia për të ngritur koalicionin qeverisës i takon fituesve.
“Kur kam krijuar Qeverinë më është dashur të negocioj edhe me Listën Serbe, tani edhe Albini e ka marrë vesh që duhet. Ne nuk refuzojmë diskutime për interes të vendit, për tema nacionale, por nuk kemi ndonjë rol për të ndihmuar në krijimin e institucioneve, përgjegjësia bie mbi fituesit. Nëse fituesit dalin në konferencë për shtyp dhe thonë ne nuk mund ta bëjmë, atëherë ne duhet të interesohemi çfarë të bëjmë”, shtoi ai.
KOHA JONË SONDAZH

