Haradinaj: Nuk njohim pavarësinë e Katalunjës, s’ka analogji me Kosovën

“Nuk ka asnjë analogji të mundshme mes Kosovës dhe Katalunjës. vendosja e një paralelizmi do të ishte e pakuptimtë.” Ka qenë kjo deklarata e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, për të përditshmen spanjolle ‘El Pais’, ku ai gjithashtu shprehu besimin e tij se Spanja do ta pranojë pavarësinë dhe anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Prishtina zyrtare nuk do të njohë pavarësinë e Katalunjës nga Spanja.

Në një intervistë për të përditshmen spanjolle ‘El Pais’, Haradinaj është shprehur kështu:

“Nuk do ta njohim pavarësinë e Katalunjës. Nuk ndihmojnë aspak as referencat e separatistëve katalanas ndaj “modelit kosovar” për të arritur pavarësinë. Kosova dhe Katalunja nuk kanë asgjë të përbashkët. Vendosja e një analogjie është të mos njohësh historinë ose ta keqinterpretosh. Rasti ynë lind nga shpërbërja përmes luftërave tragjike të ish-Jugosllavisë. Ky nuk është rasti i Katalunjës,” u shpreh Haradinaj.

Megjithatë, Kryeministri shprehu besimin se një ditë Spanja do të arrijë të kuptojë dhe ta pranojë Kosovën si një anëtare të familjes europiane.

“Kosova ka respekt të madh për Spanjën si komb dhe si demokraci e konsoliduar,” u shpreh Haradinaj, ndërkohë që shtoi se shpreson në vendosjen e një kontakti me kryeministrin spanjoll Mariano Rajoy në samitin e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Sofje.

Më tej gjatë intervistës, Haradinaj është ndalur edhe në të tjera çështje, mes tyre edhe ndikimi rus në rajonin e Ballkanit.

Kosova nuk është në orbitën e ndikimit të Moskës, u shpreh kryeministri, gjithsesi duke mos përjashtuar faktin se një pjesë e axhendës së Rusisë në rajon shqetëson Prishtinën zyrtare.

Haradinaj u ndal edhe në marrëveshjen e Brukselit për krijimin e asociacionit të komunave serbe në veri të Kosovës.

“Thuajse janë përmbushur të gjitha pikat por kemi nevojë të arrijmë një akord final dhe gjithëpërfshirës me Serbinë; ekziston struktura por nuk është ky momenti,” përfundoi kryeministri.

SHKARKO APP