Haradinaj: Pas planit për Lindjen e Mesme, presim nga Trump ide konkrete për marrëveshjen me Serbinë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj tha sot pas mbledhjes së qeverisë se pret ide konkrete nga SHBA edhe për marrëveshjen Kosovë-Serbi, pas propozimit konkret të bërë nga Trump për konfliktin në Lindjen e Mesme.

“S’mund të jetë marrëveshje e shpejtë, kemi pritë 20 vjet për një marrëveshje të tillë. Plani i presidentit Trump për Izraelin dhe Palestinën na jep një shpresë të madhe që mund të vijnë me një ide konkrete edhe për rajonin tonë, nuk besoj që SHBA do të shtijnë letra miliona dollarë se ne jemi në Evropë, po është me rëndësi që të arrihet te marrëveshja”, tha Haradinaj.

Presidenti Donald Trump shpalli të martën planin e tij për të zgjidhur konfliktin izraelito-palestinez, gati gjashtë vjet pasi u ndërprenë bisedimet mes dy palëve. Plani kërkon krijimin e një shteti palestinez, një çështje kyçe për udhëheqësit palestinezë të cilët prej kohësh kërkojnë një “zgjidhje me dy shtete” të konfliktit.

“Ky është një zhvillim i paparë dhe domethënës,” tha presidenti Trump të martën në Shtëpinë e Bardhë.

Ende nuk janë dhënë hollësi të tjera, por zyrtarët e administratës Trump thonë se plani e rrit shumë territorin e kontrolluar nga palestinezët, megjithëse njeh gjithashtu sovranitetin e Izraelit mbi vendbanime të mëdha në Bregun Perëndimor, një propozim që pothuajse me siguri do të sjellë kundërshtim nga palestinezët.

Ngjarja e organizuar në Shtëpinë e Bardhë ishte simbolikë e gjendjes së marrëdhënieve midis të tre palëve. Netanyahu u shfaq përkrah Presidentit Trump ndërkohë që krerët palestinezë thanë se ata nuk ishin ftuar.

SHKARKO APP