Haradinaj: Qeveria e Kosovës po tallet me misionet diplomatike të vendit në botë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria po tallet me misionet diplomatike të Kosovës dhe me moszëvendësimin e 12 ambasadorëve që u liruan nga puna muaj më parë.

Ai në një postim në “Facebook”, ka shkruar se moszëvendësimi i ambasadorëve është një zvarritje e skajshme e Qeverisë.

“Qeveria e Kosovës po tallet me misionet diplomatike të vendit në botë. Ajo në fund të këtij muaji ka tërhequr 12 përfaqësues diplomatik pa i zëvendësuar ata. Shumë prej misioneve dhe ambasadave të Kosovës kanë mbetur me dyer të mbyllura dhe jashtë funksionit. Kjo është papërgjegjësi e skajshme e qeverisë. Shfrytëzoj rastin që të përgëzoj të gjithë ambasadorët dhe të ngarkuarit me punë që u tërhoqën nga shërbimi, për punën e tyre të suksesshme dhe përfaqësimin me dinjitet të Kosovës në botë. Jo pa arsye, veçoj ambasadorët Beqë Cufaj, Avni Arifi dhe Arbër Vllahiu me të cilët kam bashkëpunuar ngusht dhe shpreh gjithë falënderimin tim për profesionalizmin e tyre në përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të Kosovës në vendet respektive”, ka thënë Haradinaj në një reagim në Facebook.

Të liruarit nga detyra më 19 maj: Beqë Cufaj (Gjermani), Nait Hasani (Shqipëri), Arbër Vllahiu (Çeki), Lirim Grejqevci (Holandë), Shpend Kallaba (Hungari), Gezim Kasapolli (Kroaci), Avni Kastrati (Slloveni), Gjergj Dedaj (Maqedonia e Veriut), Hajdin Abazi (Australi), Ylber Hysa (Mali i Zi), Avni Arifi (Emiratet e Bashkuara Arabe) e Amir Ahmeti (Katar).

SHKARKO APP