Haradinaj refuzon ftesën e Kurtit për Covid-19: Nuk keni më legjitimitet demokratik
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, iu përgjigj kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, për t’iu bashkangjitur një takimi ku do të flitej për menaxhimin e pandemisë COVID-19.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka bërë të ditur se do ta refuzojë këtë ftesë, pasi sipas tij veprimet e Kurtit po shkelin Kushtetutën dhe po dëmtojnë demokracinë.
”Veprimet tuaja si shkelës recidivist i Kushtetutës me ridefinimin dhe vazhdimin e marrjes së vendimeve, që kufizojnë liritë dhe të drejtat themelore, janë duke e dëmtuar rëndë demokracinë, duke i cenuar thellësisht të drejtat e njeriut, si dhe ligjshmërinë e kushtetutshmërinë në Republikën e Kosovës”, shkruan Haradinaj.
Ai ka thënë se nuk do të marr pjesë në takimin e thirrur, ngase ftesat e Kurtit janë të vona në kohë dhe të përcjella nga një mungesë legjitimiteti institucional dhe demokratik.
”Ftesat tuaja për koordinim e bashkëveprim pas vendimeve të njëanshme që po rezultojnë të dëmshme e të dështuara, ju janë shndërruar në ritual lutje për falje dhe shpëtim. E dëshmove edhe në rastin kur hoqe taksën ndaj Serbisë pa asnjë nder e kundërvlerë, pa e përfshirë donacionin e djeshëm me 1000 teste serbe në formë lëmoshe, duke e nënçmuar Kosovën për paaftësi në raport me furnizimin e ligjshëm dhe të mundshëm në kohë përmes blerjeve të drejtpërdrejta apo donacioneve nga shtetet mike të Kosovës”, shkruan kryetari i AAK-së.