Haradinaj: S’ka dialog për territore

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se në dialogun e pritshëm me Serbinë, objektivi mbetet njohja reciproke, ndërsa këmbimi i territoreve, një vijë e kuqe. Në Beograd, presidenti Aleksandër Vuçiç, flet për presion për marrëveshje nga Brukseli dhe Uashingtoni.

Në Kosovë janë rritur shpresat se me qeverinë e re dhe me rifillimin e dialogut me Serbinë, vendi në vjeshtë mund të hedhë hapit drejt objektivit të vjetër, që mbetet njohja e shtetësisë nga fqinji verior.

Para se emisari i BE-së për dialogun dypalësh, Miroslav Lajçak, të vizitojë Prishtinën dhe Beogradin javën e ardhshme, kreu i Aleancës në pushtet për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se njohja brenda territoreve ekzistuese mbetet konstante e qeverisë.

“Kosova nuk guxon me shkua në tavolinë pa e shpjeguar qartë se nuk merr pjesë në një tavolinë ku bisedohet territori, kufijtë ose rendi kushtetues i yni…Kosova nuk e ka atë luks me diskutuar çdo temë.”

Lidhur me debatin e fundit se kush do e udhëheqë dialogun Kosovë-Serbi, ish-kryeministri Haradinaj thotë se kompetencat e presidentit Hashim Thaçi dhe të kryeqeveritarit Avdullah Hoti i ka përcaktuar Kushtetuta.

Sipas Haradinajt, pas 20 vjetësh por edhe pas dy viteve pezullim që shkaktoi vendosja e tarifës 100 për qind për mallrat serbe nga ana e tij, koha për dialog është e ngutshme.

“Ne jemi të gëzuar që administrata e presidentit Trump ka interesim këtë çështje me shty përpara…Kurdo që ndodhë e mirëpresim rifillimin e dialogut, por e thash edhe një herë duhet të sqarohet se Kosova kërkon të arrihet marrëveshja për njohje reciproke në kufijtë ekzistues.”

Me largimin e pengesës së reciprocitetit të vendosur nga ish-kryeministri Albin Kurti, zgjidhja e çështjes së Kosovës është rifutur me shpejtësi në axhendën e Brukselit dhe Uashingtonit.

Sipas presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, axhendat e të dy palëve ndërkombëtare janë të ndryshme, por presioni dhe konkluzioni mbetet i njëjti.

“Synimi i çdokujt është që Serbia të mos marrë asgjë nga Kosova. Do të na kërkojnë ta pranojmë Kosovën si shtet të pavarur në një mënyrë apo tjetër. Palën europiane ne sigurisht që do e pranojmë sepse jemi në rrugëtimin europian, por as nuk mund t’i themi “jo” Riçard Grënellit. Megjithatë Serbia nuk do të shkojë me flamur të bardhë në bisedime.”

Pas pritjes në Beograd të të dërguarit të posaçëm europian për dialogun dypalësh, Vuçiç planifikon që çështjen e Kosovës ta shpalosë në tryeza të posaçme me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe më tej në Uashington duke nisur nga 23 qershori.

SHKARKO APP