Haradinaj vihet në lëvizje, mbledh me urgjencë Këshillin e Sigurisë

Një ditë pasi u përmendën skenarët për trazira të mundshme në veri, ku u tha se serbët mund ta shpallin autonominë e veriut si përgjigje që pala kosovare nuk po e formon Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, kryeministri Ramush Haradinaj ka thirrur sot një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë së Kosovës “për të vlerësuar gjendjen e sigurisë në vend”.

Gazeta Express ka siguruar një ftesë që Haradinaj ua ka dërguar përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës që përfaqësohen në këtë Këshill, për të marrë pjesë në këtë mbledhje.

Dje u bë e ditur se krerët e Policisë së Kosovës kanë marrë vendim për t’ua pezulluar pushimet pjesëtarëve të Policisë pa dhënë më shumë shpjegime.

E në skenarin që e publikoi Prifti Sava Janjic për situatën në veri të Kosovës thuhet se Policia e Kosovës do të intervenonte menjëherë pasi serbët të shpallnin autonominë.

Ndërkohë, përfaqësues të Listës Srpska këto deklarata i kanë quajtur spekulime dhe dezinformata.

SHKARKO APP