Harta e varfërisë “etnike” në Serbi

Pavarësisht varfërisë ekstreme, me një shkallë të lartë në përqindje: Tutini, në Sanxhak, me 66.2  dhe Presheva me 63.6 për qind në shkallë republike, shqiptarët dhe boshnjakët me rrënjë të përbashkëta të lashtësisë Dardane, me një sakrificë mbinjerëzore arritën ta ruajnë bërthamën etnike, që në Serbi, në viset autoktone, njihen si pakica nacionale.

Nga Sevdail Hyseni

Enti Republikan i Statistikave dhe Banka Botërore, në konferencën me gazetarë, të titulluar: “Harta e varfërisë në Serbi: Gjetjet dhe implikimet në politikat publike”, bazuar në të dhënat e regjistrimit mbi të ardhurat ekonomike dhe kushtet e jetesës, ka nxjerrë Tutinin në Sanxhak dhe Preshevën në jug të Serbisë, komunat me shkallë më të lartë të varfërisë në nivel shteti.

Me një normë kaq të lartë të përqindjes në varfëri si: Tutini 66.2, Presheva 63.6, Bojniku 63.4, Bujanoci dhe Lebana 54.6, e nën 50 për qind, Babushica, Bosilegradi, Medvegja, Tërgovishta etj, tregon qartë se nga qindra komuna sa ka Serbia, me rrethet e saj administrative, në jug e veri të vendit, janë prekur kryesisht vendbanimet e bashkësive etnike: boshnjakët, shqiptarët, bullgarët etj.

Kryefjala e varfërisë

Kot thirret Serbia në Konventat Evropiane të Qeverisjes Lokale, kur ajo shkel komunat e udhëhequra nga shqiptarët e boshnjakët si: Presheva, Bujanoci, Tutini etj.

Këto dy komuna me pozita gjeostrategjike e politike,Tutini i Sanxhakut me rreth 95 për qind të banorëve boshnjakë, që shtrihet në jugperëndim të Serbisë, Rrethi i Rashkës, në kufi me Malin e Zi dhe Presheva me mbi 95 për qind shqiptar, Rrethi i Pçinjit, në kufi me Kosovën dhe Maqedoninë.

Është e pakuptimtë, madje as logjike se si Lugina e Tutinit dhe Lugina e Preshevës, zona strategjike nëpër të cilat kalon lumenj të mëdhenj, Liqeni i Gazivodës, e në Preshevë Lumi i Moravës, Korridori 10, që lidh natyrshëm Evropën me Azinë, të mbeten komunat më të prapambetura në shkallë republike?

Këto dy komuna, Tutini e Presheva, gjithashtu, i lidh e kaluara e lashtësisë Dardane, origjina Ilire, shqiptare.

Për shkak të të kaluarës së bujshme dhe të ardhmes shumë të ndjeshme, politikat e Beogradit, karshi këtyre viseve me varfëri të skajshme, vazhdojnë me avazin e vjetër të diskriminimit, për t’i spastruar ato në heshtje me një shpopullim primitiv.

Pavarësisht metodave të egra të sundimeve shekullore, këto dy bashkësi etnike me rrënjë të përbashkëta lashtësie, në dy krahët e shtetit, me një sakrificë mbinjerëzore arritën ta ruajnë bërthamën e tyre kombëtare, që në Serbi, në viset autoktone njihen si pakica nacionale.

Këto dilema, me prapavijë politike, të trashëguara brez pas brezi, u sqaruan, në një farë mënyre, në Konferencën me gazetarë në Beograd.

Fonde për qeverisjet lokale

Në kuadër të Ministrinë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Ivanisheviq, sekretar shtetëror, shprehu nevojën, që në ardhmen të ndihmohen me fonde të posaçme qeverisjet lokale, me shkallë të ultë të zhvillimit, në llogari të përmirësimit të mirëqenies sociale.

E kësaj natyre ishte edhe deklarata e sekretarit të shtetit të Ministrisë së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Ivan Boshnjak, i cili u përqendrua te masat që duhet të ndërmerren për reduktimin e varfërisë e cila më shumë i ka goditur pakicat kombëtare në Serbi.

Më i zëshëm në këtë drejtim ishte shefi i zyrës së Bankës Botërore në Serbi, Toni Verhejen, i cili, mes tjerash, vuri në spikamë rrezikun e shfaqur të varfërisë dhe prapambeturisë, kryesisht në ka Serbinë Juglindore dhe pjesë të Vojvodinës.

Barazimi i dallimeve

Sipas mendimit të kreut të Zyrës së Bankës Botërore në Serbi, Tony Verhejen, “disa nga aktivitetet në ndihmën në nivel lokal për të barazuar këto dallime, një çështje që është ende në kërkim për një përgjigje, dhe ajo do, ai beson, do të ndihmojë për të kuptuar ndikimin e reformave të tjera në të cilat Banka Botërore është duke punuar me Qeverinë”.

Në këtë drejtim, merret si shembull Korridori 11, i cili do të lidh Serbinë jugore, me atë qendrore, duke hapur mundësinë e zhvillimit të rajoneve të goditura nga prapambeturia e papunësisë siç është Tutini e Presheva, me mbi 65 për qind të shkallës së varfërisë me komunat e zhvilluara të Beogradit të Ri, që nuk kapin lartësinë 4,8 për qind, në nivel të shtetit.

*Autori është gazetar e publicist nga Lugina e Preshevës, kryetar i Bashkësisë Kulturore Shqiptare “Perspektiva”

SHKARKO APP