Hashim Thaçi kundër dialogut teknik me Serbinë, del me kërkesën e fortë për Brukselin dhe Washingtonin
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur kundër dialogut teknik me Serbinë. Kreu i vendit, pas takimit me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha tha se dialogu me shtetin fqinj duhet të jetë vetëm për njohje reciproke.
Thaçi kërkoi një bashkërendim më të madh ndërmjet spektrit politik në vend, e mbi të gjitha mes Brukselit dhe Washingtonit
“Për neve është një rëndësi jetike të kemi një koordinim, e para mes spektrit politik në Kosovë, konsensus sa më të gjerë, sa më përfshirës në mënyrë që të jetë një angazhim i unitetit të qytetarëve, shoqërisë civile, politike dhe institucioneve. Gjithmonë kontributi i Shqipërisë ka qenë i mirëseardhur”, tha ai.
Sipas tij, aspektet teknike me Serbinë janë diskutuar që nëntë vite, ndërsa theksoi se tash dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke.
“Është jetike për neve që edhe faktori ndërkombëtar të jetë i koordinuar, së pari BE-ja të jetë unik, por edhe një koordinim të ngushtë mes Washigtonit dhe Brukselit në mënyrë që të jetë një proces i sigurt, i besueshëm, dhe pastaj i pranueshëm. Duhet të përmbyllet, jo në aspektin teknik, sepse aspekte teknike kemi diskutuar tash e nëntë vite 2011-2019, por të përmbyllet me njohje reciproke sa më shpejt që është e mundur”, vijoi Thaçi.