Hashim Thaçi, në kërkim të një imazhi të ri si “pajtues”

 Një drejtuesi i luftës ka përqafuar pajtimin me homazhet e serbëve të vrarë. Por analistët ngrenë pikëpyetje nëse ai është i sinqertë?

Nga Marija Ristic dhe Taulant Osmani

Hashim Thaçi është vendosur në qendër të kritikave në kryeqytetin e tij të Prishtinës, pasi së fundi nderoi memorialet e serbëve të vrarë gjatë luftës. Premtimet e tij për të zbardhur vrasjet u panë si asgjë më shumë se retorikë nga serbët, ndërkohë që shqiptarët besojnë se Thaçi pranoi indirekt se njerëzit e tij ishin përgjegjës për krimet.

Analistët në Prishtinë sugjerojnë se lëvizja mund të shihet si një përpjekje e e Thaçit për të pastruar imazhin që disa njerëz kanë për të- si një kryekomandant përgjegjës për abuzimet me të drejtat e njeriut, potencialisht për të dalë përpara një gjykate.

Në 2011, një raport i Këshillit të Europës pretendonte se Thaçi, një ish-lider i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një ndër organizatorët kryesorë të aktiviteteve kriminale gjatë dhe pas luftës. Pretendimet e bëra në raport çuan në ngritjen e një Gjykate të re Speciale, por Thaçi ka mohuar çdo lidhje me krimet dhe publikisht ka mbështetur përpjekjet për hetimin e të gjithë personave përgjegjës.

Që kur mori presidencën në shkurt të këtij viti, Thaçi ka bërë disa lëvizje të komentuara si përpjekje për pajtim me komunitetin serb në Kosovë, të cilët e perceptojnë ende atë si përgjegjësin kryesor për spastrimet dhe vrasjet e serbëve të Kosovës. Mes veteranëve të UÇK, ai konsiderohet ende si njëri prej liderëve kyçë që siguroi pavarësinë e Kosovës pas luftës.

Thirrjet për pajtim

Të premten e shkuar, Thaçi bëri thirrje për gjetjen e vendodhjes së 1666 njerëzve të zhdukur nga konflikti në Kosovë.

“Unë bëj apel edhe njëherë që fati i të zhdukurve të zgjidhet, pa dallim etnik, feje apo grupi profesional të cilit ata i përkasin. Pajtimi midis kombeve kërkon ndershmëri, vërtetësi dhe drejtësi,” shkroi Thaçi në Facebook.

Ai shtoi se të zhdukurit e listuar janë jurisët, doktorë, punonjës bujqësorë dhe gazetarë. Një javë para këtij postimi, Thaçi bëri homazhe në një memorial të vendosur për djemtë serbë të vrarë në qytetin e Gorazdevac/Gorazhdec në 2003. Në korrik, ai vendosi një kurorë në memorialin e 14 serbëve të vrarë në korrik 1999 në fshatin Staro Gracko/Gracke.

Të dyja këto çështje mbeten të pazgjidhura, but serbët e këtyre zonave janë të bindur se përndjekësit ishin shqiptarë. Në të dy monumentet, është shkruar se ata ishin viktima të “terrorit shqiptar”.

Shumica e serbëve nga këto zona nuk i shohin lëvizjet e Thaçit si akte pajtimi, por si provokime. Familjet e viktimave refuzuan gjithashtu ta mikprisnin atë në shtëpitë e tyre.

“Ne i thamë atij se nuk është koha e duhur, derisa ata që urdhëruan këto krime të dërgohen para drejtësisë për njërin prej krimeve me të mëdha kundër serbëve në Kosovë. Dhe derisa kjo të ndodhë, ai nuk është i mikpritur në fshatin tonë,” tha Zoran Cirkovic, kryetar i Bashkisë së Staro Gracko.

Analistët në Prishtinë theksuan se përmes këtyre përkujtimoreve ndaj serbëve të vdekur, Thaçi po njeh tërthorazi faktin se shqiptarët janë përgjegjës për vrasjet, pavarësisht se asnjë gjykatë nuk e ka përcaktuar këtë.

“Nderimi i viktimave, pavarësisht nga kombësia së cilës ata i përkasin është një gjest fisnik për çdokënd. Por në këtë mënyrë, Thaçi po i bën shqiptarët përgjegjës për krimet, edhe pse autorët nuk janë gjetur dhe dënuar ende,” tha për BIRN Imer Mushkolaj, një analist politik në Prishtinë, duke iu referuar homazheve në monumentet që identifikojnë shqiptarët si vrasës.

Sipas Mushkolajt, vizita e Thaçit në këto monumente kishte si qëllim kapitalin politik.

“Sigurisht, ai po i bën këto vizita me qëllimin e përfitimit të mbështetjes politike. Por ai është i pasinqertë në këto raste, pavarësisht se ai po përpiqet ta prezantojë veten një president i të gjithëve,” tha Mushkolaj.

“Gjatë gjithë viteve të tij në pushtet, Thaçi supozohej të punonte që njerëzit përgjegjës për këto krime të çoheshin para drejtësisë,” tha ai.

Në vend të kësaj-shtoi Mushkolaj, aktet e fundit të Thaçit “fyen dhe akuzuan shqiptarët si vrasës dhe terroristë”.

Ndryshimi i imazhit politik

Që prej përfundimit të luftës në 1999, Thaçi dhe partia e tij Demokratike e Kosovës, PDK kanë qenë në pushtet. Thaçi vetë ishte kryeministër, më pas ministër i Jashtëm dhe prej shkurtit është president.

Analistë të tjerë bien dakord me Mushkolajn se homazhet e Thaçit janë më shumë politike se sa të sinqerta, veçanërisht në dritën e ngritjes së Gjykatës së re Speciale, e cila pritet të vihet në funksionim në fund të këtij viti. Burime të afërta me gjykatën i thanë BIRN se çështjet e para mund të priten në fund të 2016 ose në fillim të 2017.

Gjykata do të ketë gjyqtarë dhe prokurorë të huaj në përbërje, ndonëse do të operojë nën ligjet e Kosovës. Që të fillojë punë, nevojitet ende miratimi i parlamentit hollandez, i cili me gjasë do të ndodhë këtë vjeshtë.

Shumë besojnë se politikanë të rëndësishëm në Kosovë do të përfundojnë në bankën e të akuzuarit, përfshirë Thaçin. Sipas analistit nga Prishtina, Behlul Beqaj, transformimi i Thaçit nga lider i UÇK në një president për të gjitha komunitetet etnike në Kosovë-siç u theksua nga vizitat e tij në memorialet serbe, është pozitiv por i pasinqertë dhe ka si qëllim ndryshimin e imazhit të tij.

“Thaçi nuk ndryshoi ato që ai beson, por ai kuptoi se në këtë mënyrë mund të mbështetet nga komuniteti ndërkombëtar për të qëndruar në pushtet, ose është një kusht për të mos e çuar atë para Gjykatës Speciale,” tha Beqaj.

David Schwendiman, i cili pritet të jetë shefi i prokurorisë në Gjykatën Speciale i tha BIRN në mars se askush nuk do të ketë imunitet nga hetimi.

“Ne e theksojmë këtë, nën ligjin ndërkombëtar nuk ka amnisti për askënd që ka dhunuar ligjin humanitar ndërkombëtar,” tha Schwendiman kur u pyet nëse pozicioni si President mund ta kursente Thaçin nga hetimi.

“Kjo është gjithashtu e qartë në ligjin për dhomat special dhe zyrën speciale të Prokurorisë (që u miratua në Parlamentin e Kosovës,” shtoi Schwendiman.

Ligji që bëri të mundur ngritjen e gjykatës së re e bën të qartë se asnjë zyrtar nuk është jashtë kufinjve të hetimit.

“Pozicioni zyrtar i çdo të akuzuari, përfshirë kreun e shtetit apo të qeverisë apo një zyrtar përgjegjës të qeverisë nuk e liron këtë person nga ndjekja penale dhe as nuk sjell zbutje të dënimit,” thuhet në ligj.

Deri më tani, Thaçi ka udhëtuar në Hagë vetëm si folës nëpër konferenca apo për takime me zyrtarë holandezë. Në një fjalim të mbajtur prej tij në Institutin e Hagës për Drejtësi Globale këtë mars, ai tha se dëshironte një “proces transparent gjyqësor” pasi nuk ka “asgjë për të fshehur”.

Ai kërkoi gjithashtu të siguronte audiencën e tij se Kosova ishte një shtet i të gjithë qytetarëve dhe aty duhet të shpenzohen energjitë për të krijuar një të ardhme për ta.

“E shkuara është e shkuar,” tha ai. Por vetëm kur Gjykata Speciale të fillojë nga puna do të bëhet e qartë nëse mundet ose jo Thaçi ta lërë pas të shkuarën e tij.

BIRN

SHKARKO APP