Hashim Thaçi takim me Albin Kurtin në 6 janar
Presidenti i vendit Hashim Thaçi njoftoi se do e presë në takim kreun e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, për mandatin e kryeministrit për krijimin e qeverisë, ditën që ky i fundit kishte propozuar, më 6 janar.
Në adresimin e tij të fundvitit për media, Thaçi tha se e mirëpret Kurtin, përderisa e përcaktoi edhe orën e takimit.
“Mirëpres faktin që pas ftesës së 3-të, Kurti ka pranuar dhe i është përgjigjur. Në ditën që është menduar nga Kurti, e pres në zyrën time në orën 15:00. Kështu që mirësevjen në ditën që e ka propozuar në orën 15:00”.
Thaçi komentoi edhe konferencën e fundvitit, që aktualisht po e zhvillon në Presidencë, për dallim nga herët e kaluara që e kishte mbajtur në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
“Është obligim kushtetues i presidentit të vendit, i imi aktualisht, që t’i drejtohet Kuvendit të Republikës së Kosovës një here brenda vitit. Me një dëshirë më të madhe do të shkoja në parlament t’ju drejtohem deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Për fat të keq aktualisht nuk kam kujt t’i drejtohem”.
“Pres që në kuadër te kompetencave kushtetuese dhe ligjore të funksionimit të institucioneve tona, në javët e para të janarit të kemi funksionalizimin e Kuvendit”. /Klan Kosova