Haxhiu: Kurti nuk ka refuzuar dëshminë në Prokurorinë Speciale

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i ka dalë në mbrojtje, kryeministrit Albin Kurti. Ajo është pyetur edhe për Konferencën e thirrur nga kryeprokurori Blerim Isufaj, deklaratat e Kryeministrit për Prokurorët, si dhe për thirrjen e Kurtit për t’u intervistuar në Prokurorinë Speciale.

Haxhiu tha se Kurti nuk e ka refuzuar dëshminë në Prokurorinë Speciale por ka ofruar disa ditë dhe data për ta dhënë dëshminë në zyrën e tij. Ministrja e Drejtësisë shtoi se kryeministri Albin Kurti nuk është akuzuar për korrupsion, madje as nga kritikët e tij më të mëdhenj nuk është thënë asnjë fakt apo detaj. Zyrtarja e lartë e qeverisë Kurti tha se Kosova ka treguar se i respekton rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe se nuk ka hequr dorë nga reforma në Drejtësi.

Kurti është ftuar këtë muaj nga Prokuroria Speciale për të dëshmuar në një rast korrupsioni, saktësisht për rastin e keqpërdorimit të rezervave shtetërore. Ai nuk i është përgjigjur ftesës akoma, por i ka ftuar prokurorët të shkojnë tek ai. Shumë zyrtarë qeveritarë dhe eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet e kanë cilësuar të motivuar politikisht ftesën që prokuroria ia ka adresuar kryeministrit të Kosovës, meqë ajo është bërë në prag të fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

SHKARKO APP