Heqja e vizave për Kosovën, diplomati francez: Nuk ndodh as në vitin 2022

Shefi i Diplomacisë Evropiane, Josep Borrell të hënën deklaroi se Kosova meriton të marrë liberalizimin e vizave pasi që ka përmbushur të gjitha kriteret. Borrell u shpreh se duhet bërë përparim në këtë çështje, duke theksuar se ai personalisht do të mbështes një gjë të tillë.

“Ka kaluar shumë kohë për liberalizimin e vizave për Kosovën. Vendi i ka përmbushur të gjitha kriteret lidhur me këtë proces dhe ne tani duhet të bëjmë përparim në këtë çështje. Unë do ta mbështes plotësisht këtë,” tha ai.

Por kështu nuk mendon ish-ambasadori i Francës në SHBA, Gerard Araud. Duke e cituar deklaratën e Borell, ai tha se heqja e vizave për kosovarët mbetet një ëndërr dhe nuk ndodhë as në vitin 2022.

“Unë e di që do të kritikohem në instancat e BE-së por nuk jam i sigurt se atmosfera politike është e gatshme për një vendim të tillë. Të jemi realistë … Fatkeqësisht …”, shkroi ai.

Ndaj deklaratës së tij ka reaguar kryeshefi ekzekutiv i Fondacionit “Sfidat e Mijëvjeçarit”, Petrit Selimi.

“Sigurisht! Kur e djathta ekstreme ka një shans për të fituar do të thotë se fëmijët kosovarë do të mbeten të vetmit që nuk mund të shohin ose njohin Evropën për një të ardhme të parashikueshme. Ju mund ta quani atë atmosferë, por në të vërtetë është pandjeshmëri ndaj ndjenjave raciste të disa pjesëve të votuesve.”

Ndërsa ish-ambasadori i Kosovës në Francë, Bernard Nikaj, e pyeti Araud se për çfarë po flet konkretisht, liberalizimin e vizave apo njohjen e Kosovës nga Spanja.

Araud, tha “ vizat, fatkeqësisht”.

“Në vitin kur mbahen zgjedhjet presidenciale dhe legjislative? Po ëndërron”, ka qenë përgjigja e këshilltarit të Macronit, Gerard Araud.

Nikaj në replikën e fundit ndaj tij tha se është për të ardhur keq, dhe se shpreson se Franca do të ndryshojë mendim. /abcnews.al/

SHKARKO APP