Historia e kosovarit/ E dënuan me 8 vjet burgim për vrasjen e policit, por gjykatat harruan ta çojnë në qeli
Për më shumë se 5 muaj, i dënuari me 8 vjet burgim Adonis Gashi, për ndihmë në kryerje të veprës penale: vrasje e rëndë ishte lënë i lirë nga organet e drejtësisë. Në mars të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit, 4 nga 5 të dënuarve për vrasjen e policit Shemsedin Gashi, ua kishte ashpërsuar dënimin, raporton KTV.
Në mesin e tyre ishte edhe Adonis Gashi, i cili në kohën kur ishte marrë vendimi për dënimin e tij, gjendej në liri pasi që kishte kryer një pjesë të dënimit të dhënë nga Gjykata e shkallës së parë. Por, që nga muaji mars deri në shtator të vitit të kaluar, as Gjykata e Apelit e as ajo Themelore nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për t’u siguruar që Gashi të shkonte në vuajtje të dënimit.
Ndonëse në vendimin e Gjykatës së Apelit thuhej se Gashit i ishte ashpërsuar dënimin në 8 vjet, aty nuk ishte bërë fare kërkesë që të lëshohet urdhër për ta arrestuar dhe dërguar atë në burg. Kryetari i Gjykatës së Apelit Hasan Shala, e pranon se në këtë rast, gjyqtarët e Apelit kishin bërë lëshim, duke mos kërkuar arrestimin e tij në momentin e shpalljes së aktgjykimit.
Por, sipas Shalës, lëshimin më të madh në këtë rast e ka bërë Gjykata Themelore e Prishtinës, që sipas tij, nuk është përkujdesur që pas 15 ditësh ta lëshojë urdhërarrestin ndaj Gashit. Por, Gjykata Themelore në Prishtinë, përmes një përgjigjeje, ka sqaruar rrethanat dhe kohën e lëshimit të këtij urdhërarresti.