Historianët me një rezolutë, kundër librit “Masakrat në Kosovë 1998-1999” të Shkëlzen Gashit

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan, i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Kuvendit të Kosovës për miratimin e një rezolute që kundërshton librin “Masakrat në Kosovë 1998-1999” të autorit Shkëlzen Gashi.

Kërkesa i është adresuar kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, si dhe nënkryetarëve dhe shefave të grupeve parlamentare.

Sipas historianëve, libri në fjalë nuk e përcakton qartë përgjegjësinë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe lë hapësirë për interpretime që, sipas tyre, cenojnë të vërtetën historike.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në letër theksohet nevoja për një qëndrim institucional, duke argumentuar se trajtimi i ngjarjeve të viteve 1998–1999 duhet të bëhet mbi baza të verifikuara shkencore dhe me përgjegjësi të plotë ndaj kujtesës kolektive dhe viktimave të luftës.

Swiss Digital Mobile Reklama

Kjo kërkesë e historianëve, vie si rezultat i reagimeve të shumta që ndodhën ditëve të fundit mbi ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, e cila bazohej pikërisht në këtë libër, e ku u ngritën dyshime për pasaktësi në të dhënat e paraqitura, veçanërisht lidhur me viktimat e disa masakrave.

Më poshtë është letra e plotë:
E nderuara znj.Kryetare,

Duke ju uruar suksese në ushtrimin e detyrës suaj, në emër të organeve drejtuese të Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, ju drejtohemi me kërkesën për miratimin e një Rezolute nga Kuvendi i Republikës së Kosovës lidhur me librin “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, të autorit Shkëlzen Gashi.

Kjo kërkesë buron nga nevoja për një qëndrim të qartë institucional ndaj trajtimit të një prej çështjeve më të ndjeshme të historisë sonë të re. Mënyra e paraqitjes së ngjarjeve të viteve 1998-1999 në këtë botim, përfshirë edhe formulimin e titullit, nuk e përcakton qartë përgjegjësinë për krimet e kryera në Kosovë, duke lënë të paadresuar rolin e shtetit serb dhe duke krijuar hapësirë për interpretime që cenojnë të vërtetën historike.

Duke pasur parasysh peshën që kanë këto ngjarje në kujtesën kolektive dhe në ndërtimin e narrativës shtetërore, konsiderojmë se institucionet e Republikës së Kosovës kanë obligim të reagojnë në mënyrë të përgjegjshme, duke mbrojtur të vërtetën e bazuar në fakte të verifikuara dhe në standarde shkencore. Trajtimi i temave që lidhen me krimet e gjenocidit serb në Kosovë kërkon një qasje të kujdesshme, profesionale dhe të institucionalizuar, në mënyrë që të shmangen keqinterpretimet dhe relativizimi i tyre.

Në këtë kontekst, vlerësojmë se Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të marrë një rol aktiv në orientimin e diskursit publik dhe shkencor, duke mbështetur institucionet përkatëse akademike dhe kërkimore në trajtimin e këtyre çështjeve dhe duke garantuar që publikimet e kësaj natyre të kalojnë nëpër filtra profesionalë dhe shkencorë.

Miratimi i një Rezolute do të përbënte një akt me rëndësi të veçantë, jo vetëm në planin institucional, por edhe në atë shoqëror e historik, duke kontribuar në ruajtjen e integritetit të kujtesës historike, në respektimin e viktimave dhe në forcimin e një narrative të bazuar në të vërtetën dhe drejtësinë.

Për rrjedhojë, propozojmë që Rezoluta e Kuvendit të Republikës së Kosovës të përfshijë këto pika:

Kuvendi i Republikës së Kosovës shpreh qëndrimin e tij zyrtar të distancimit nga përmbajtja dhe qasja e librit “Masakrat në Kosovë 1998-1999” të autorit Shkëlzen Gashi, duke vlerësuar se ai nuk pasqyron në mënyrë të plotë dhe të saktë përgjegjësinë për krimet e gjenocidit serb në Kosovë.
Kuvendi i Republikës së Kosovës rithekson se ngjarjet e viteve 1998-1999 përbëjnë krime të gjenocidit serb në Kosovë, si dhe krime të rënda të luftës dhe krime kundër njerëzimit, të kryera nga aparati shtetëror i Serbisë.
Kuvendi i Republikës së Kosovës thekson se mohimi, relativizimi apo pasaktësimi i krimeve të gjenocidit serb në Kosovë përbën cenim të rëndë të së vërtetës historike dhe të kujtesës kolektive të popullit të Kosovës.
Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon që trajtimi dhe publikimi i temave që lidhen me krimet e gjenocidit serb në Kosovë të bëhet përmes institucioneve shkencore dhe akademike të vendit, si Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti i Historisë, Instituti Albanologjik dhe Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë.
Kuvendi i Republikës së Kosovës u bën thirrje autorëve, studiuesve dhe organizatave që në trajtimin e krimeve të gjenocidit serb në Kosovë të respektojnë standardet më të larta profesionale, shkencore dhe etike, duke shmangur çdo formë të relativizimit, minimizimit apo deformimit të këtyre krimeve.
Kuvendi i Republikës së Kosovës angazhohet që të mbështesë fuqishëm iniciativat institucionale dhe shkencore për dokumentimin, studimin dhe publikimin e krimeve të gjenocidit serb në Kosovë, në funksion të drejtësisë dhe të ruajtjes së kujtesës historike.
Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga institucionet përkatëse që të intensifikojnë përpjekjet për dokumentimin e plotë dhe për ndërkombëtarizimin e së vërtetës mbi krimet e gjenocidit serb në Kosovë.
E nderuara znj.Kryetare,
Duke e konsideruar rëndësinë e kësaj çështjeje për të vërtetën historike, kujtesën kolektive dhe dinjitetin e viktimave, ju lutemi që këtë kërkesë ta trajtoni me prioritet dhe ta procedoni për shqyrtim në organet përkatëse të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Jemi të bindur se një qëndrim i qartë institucional përmes miratimit të kësaj rezolute do të kontribuojë në mbrojtjen e së vërtetës mbi krimet e gjenocidit serb në Kosovë dhe në forcimin e rolit të institucioneve tona në ruajtjen dhe promovimin e saj. /Telegrafi/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A duhet të nxjerrë PD dhe Opozita emrin e kandidatit për Kryeministër, por të mos jetë Berisha?