Homazhe te varri i Rugovës, Presidentja Osmani kërkon unitet politik për çështjet kombëtare

Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, vendosi të përkujtojë figurat historike që kontribuuan në lirinë e Kosovës. Fillimisht, bëri homazhe te varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova, në Prishtinë, e më pas në Prekaz për të nderuar të rënët e luftës që prehen në kompleksin memorial “Adem Jashari”.

Osmani pohoi se Kosova po kalon kohëra të vështira dhe se u drejtua për frymëzim nga persona që ishin simbole të unifikimit. ”Qytetarët nuk do ta falin askënd nëse në këtë kohë të rëndë për Kosovën, kur ne duhet të flasim njëzëri për krimet që i ka bërë Serbia në Kosovë, që ne të bëhemi peng i politikave ose dallimeve ditore. Prandaj, është me rëndësi që për çështje të interesit nacional të bashkohen të gjithë. Natyrisht, sa më përket mua, edhe në pozicionin e ushtrueses së detyrës së presidentit, unë do ta jap kontributin tim maksimal, por kjo siç e thash varet edhe nga vullneti i përfaqësuesve të tjerë politik”, tha Osmani.

Situata dhe zhvillimet e fundit në vend ishin temë diskutimi edhe në mbledhjen e qeverisë së Kosovës. Kryeministri Avdullah Hoti, tha se duhet të ruhet stabiliteti i institucioneve pas dorëheqjes së presidentit.

”Ne nuk ndërhyjmë dhe nuk komentojmë vendimet e organeve të drejtësisë, edhe më lejoni t’ju them qartë, drejtë, hapur se në Qeverinë e Kosovës nuk ka hapësirë për sjellje ndryshe. Bazën ligjore e kemi të qartë se si sillemi në këtë situatë për të ndihmuar ligjërisht personat që janë të përfshirë në këtë situatë. Kushtetuta është e qartë se si procedohet më tutje në situatën kur vendi nuk ka tash president, puna e qeverisë dhe secili prej jush duhet të vazhdojë me kapacitetet të plotë me intensitet të shtuar, për shkak të seriozitetit të situatës, ky është qëndrimi që duhet të mbajmë si qeveri”,- u shpreh kryeministri.

SHKARKO APP