Incidenti në Maqedoni, Rusia akuzon Kosovën

 

Ministria e Jashtme e Rusisë ka akuzuar Kosovën dhe mosfunksionimin e ligjit në shtetin më të ri në Europë për incidentin që pretendohet të ketë ndodhur dy ditë më parë në kufirin me Maqedoninë.

Diplomacia ruse shpreh shqetësimin për situatën e krijuar në Ballkan dhe thekson se tensionet ndëretnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve mund të jenë shkak për konflikte të reja në rajon.

Për këtë arsye, Rusia shpreh gatishmërinë e saj për të kontribuar në kthimin e rendit dhe ligjit në zonat problematike në Maqedoni.

Për ngjarjen ka reaguar edhe Bashkimi Europian, përmes zëdhënëses Maja Koçijançiç, e cila ka deklaruar se institucionet europiane presin që ngjarja të hetohet në mënyrë të përgjegjshme dhe të bëhet çdo përpjekje nga palët që të shmangin tensionet politike dhe etnike.

Në pikën kufitar te të Goshincës, mes Kosovës dhe Maqedonisë, kanë qendruar gjatë të mërkurës edhe disa ekipe të OSBE-së, për të vëzhguar situatën, ndërsa janë publikuar edhe pamjet e para nga kapanonet e plaçiktur të postës kufitare.

Maqedonia pretendon që dy ditë më parë, një grupim nacionalist shqiptar me 40 vetë, me stemat e UÇK-së, ka hyrë në territorin e vet nga Kosova dhe ka marrë peng katër oficerë policie, mes tyre tre shqiptarë.

Ministria e Brendshme e Maqedonisë ka mbledhur të gjitha gjurmët në vendngjarje, të cilat do të analizohen, ndërsa raportohet të ketë pasur edhe një takim me drejtues të policisë së Kosovës ku janë shkëmbyer informacione mbi incidentin.

SHKARKO APP