Interpol mund të rikthejë fletarrestet ndaj Haradinajt dhe Thaçit

Interpol mund të rikthejë fletarrestet ndaj kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj dhe presidentit Hashim Thaçi. Së fundmi është raportuar se Interpol ka hequr nga lista e fletarresteve rreth 20 ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë edhe atë ndaj kryeministrit aktual të Kosovës Ramush Haradinaj dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaqi, transmeton “Zëri.info”.

Mirëpo duket se ky vendim do të anulohet shumë shpejt, kjo për shkak të ankesës që ka bërë Serbia në lidhje me këtë vendim, duke pretenduar shkeljen e procedurave me rastin e largimit të këtyre emrave nga kjo listë.

Siç raportojnë mediat serbe, me rastin e marrjes së këtij vendimi për largimin e këtyre emrave nga lista e Interpolit, janë anashkaluar procedurat dhe rregullat, respektivisht është anashkaluar komisioni kompetent i kësaj organizate.

Për këtë kishte reaguar menjëherë ministria e punëve të brendshme e Serbisë, duke bërë ankesë në Komitetin ekzekutiv të Interpolit. Burimet serbe thonë se pritet të Komiteti Ekzekutiv qysh në mbledhjen e radhës, e cila mbahet brenda disa ditëve, do ta pranoj ankesën e Serbisë dhe të gjithë emrat e larguar do të futen sërish në sistem, çka nënkupton se zyrtarët kosovarë të përfshirë në këtë listë, mund të arrestohen sërish posa e lëshojnë Kosovën.

SHKARKO APP