Ivanoviç kishte kërkuar ndihmën e autoriteteve serbe dhe atyre kosovare, por ishte injoruar

Oliver Ivanoviç, i cili u vra të martën në qytetin e Mitrovicës në Kosovë, kishte denoncuar një sërë kërcënimesh dhe kishte kërkuar ndihmën e autoriteteve serbe dhe atyre kosovare, por ishte injoruar.

Nga Maja Zivanovic

Oliver Ivanoviç, i cili u qëllua për vdekje para zyrës së tij në Mitrovicë të martën, kishte thënë disa herë se ai dhe familja e tij kishin marrë kërcënime dhe i kishin kërkuar Kosovës, Serbisë dhe të tjerëve ndihmë, por pa asnjë rezultat.

“Ata më bënë gjithçka që mundën, përveç se të më vrasin, por edhe kjo nuk përjashtohet,” tha Ivanoviç në nëntor në televizionin lokal N1.

Makinës së Ivanoviçit iu vu zjarri më 28 korrik, pak muaj para zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Ivanoviç ishte kreu i një nisme civile të quajtur Serbia, Demokraci, Drejtësi dhe vepronte si kundërshtari i partisë kryesore serbe të Kosovës, Lista Serbe, e cila tani është pjesë e qeverisë së Kosovës.

Ivanoviç tha për N1 se qëllimi i kërcënimeve ishte të trembte njerëzit përreth tij.

Sipas një raporti nga konferenca për shtyp e Ivanoviçit, e mbajtur pas incidentit të vitit 2017, ai tha se kishte një gjë tek ai që dikush s’e pëlqente. “Politika ime”, theksoi ai.

Pas incidentit, ai tha për faqen e internetit të RTK-së në Kosovë se kishte informuar lidershipin e Serbisë, Kosovës, komunitetin ndërkombëtar, misionin e sundimit të ligjit të BE-së EULEX, prokurorët dhe forcën paqeruajtëse të KFOR-it në lidhje me kërcënimet dhe presionet ndaj tij.

Kjo nuk ishte hera e parë që makinës së Ivanoviçit i vihej zjarri. Një incident i ngjashëm ndodhi në vitin 2005 kur poshtë makinës së tij u vendos një bombë. Makina e tij ishte parkuar para ndërtesës ku ai jetonte.

“Nuk pres asgjë nga policia, sepse deri më tani s’është bërë asgjë në situata të ngjashme. Ose është një çështje paaftësie, që unë e dyshoj, ose është mungesë kuraje për të hyrë në konflikt me kriminelët dhe për të zgjidhur çështje të tilla,” tha ai për agjencinë e lajmeve Beta në korrik.

Në shtator 2013, para zgjedhjeve lokale të atëhershme, një burrë i panjohur hyri në apartamentin e Ivanoviçin dhe sulmoi bashkëshorten e tij, raportuan mediat serbe. Ivanoviçi atëherë ishte kandidat për postin e kryetarit të Mitrovicës.

Të njëjtin vit dikush i vuri zjarrin selisë së partisë së tij. Përsëri Ivanoviçi tha për mediat se ai ishte i sigurt se motivi i zjarrit ishte politika e tij.

Një zëdhënëse për partinë e Ivanoviçit, Ksenija Bozoviç tha për BIRN: “Askush nuk mund të thotë se nuk e dinin.”

“Çfarë duhet t’i ndodhte tjetër atij që dikush të reagonte?” pyeti ajo.

Bozoviç shtoi se autorët e krimit nuk ishin gjetur në asnjë nga rastet.

“Ai kishte frikë për jetën e tij, për sigurinë e familjes së tij dhe i lajmëroi të gjithë për këtë – Serbinë, Kosovën, komunitetin ndërkombëtar. Ata e dinin të gjithë,” theksoi ajo.

Policia e Serbisë dhe ajo e Kosovës nuk iu përgjigjën pyetjeve të BIRN për kërcënimet që Ivanoviç kishte raportuar më herët.

Presidenti serb Aleksandër Ivanoviç tha të martën se sigurimi serb s’ishte në dijeni të ekzistencës së kërcënimeve direkte ndaj Ivanoviçit.

Ivanoviçi u vra me armë zjarri të martën në mëngjes para zyrës së tij dhe vdiq menjëherë pasi mbërriti në spital. Vrasja e tij është dënuar gjerësisht nga BE-ja, zyrtarët serbë dhe ata kosovarë.

BIRN

SHKARKO APP