Ja ç’po ndodh në Kosovë sot
Protesta e opozitës në Prishtinë, ku është kërkuar dorëheqja e qeverisë së Kosovës pas nënshkrimit të marrëvëshjes së Asociacionit e Komunave me shumicë serbe, dhe atë të demarkacionit me Malin e Zi, ka shpërthyer në akte dhune.
Në sheshin ‘Zahir Pajaziti’, protestuesit po vazhdojnë hedhje të gurëve e koktej molotovi ndaj policisë. Policia ka vënë në lëvizje edhe autoblindat, ndërsa dy nga to iu është vënë flaka nga koktej Molotovi që protestuesit kanë gjuajtur.
Megjithëse udhëheqësit e partive opozitare deklaruan zyrtarisht mbylljen e protestës, disa pjesëmarrës në këtë protestë, po vazhdojnë të konfrontohen me forca të policisë në bulevardin “Nënë Tereza”. Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e mbetur pas fjalimeve. Ndërkohë policia vazhdon me hedhjen e gazit lotsjellës në drejtim të këtyre protestuesve.
Rrethohet Qeveria dhe pastrohet sheshi
Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka arritur në oborrin e Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës. Ndërkohë, kompanitë e pastrimit kanë hequr të gjitha gjërat e forta që ishin në sheshin “Skenderbe”.
Në shesh tanimë kanë dal edhe një pjesë e madhe e mediave. Kurse, shumica e protestuesve tanimë janë nis drejt Prishtinës.
Opozita dhe policia para protestës
Aktivistë të subjekteve opozitare kanë filluar të vendosin binen në sheshin “Skenderbe”, ku pritet të flas lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ai i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj nga Nisma për Kosovën.
Ndërkohë edhe policia e regjioneve dhe njësive të ndryshme tanimë kanë arritur nëpër stacionet policore në kryeqytet, ku po mbajnë takimin e fundit konsultues para protestës që do të fillojë në ora 14:00, te Biblioteka Kombëtare dhe do të vazhdojë para Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Edhe aktivistët e subjekteve opozitare, tanimë kanë përfunduar shumicën e organizimeve të tyre.
Sot mbahet protesta e opozitës, synim rrëzimi i Qeverisë
Sot do të mbahet protesta e paralajmëruar prej javësh nga tri partitë opozitare për anulimin e marrëveshjeve me Serbinë e Malin e Zi, si dhe për të kërkuar llogaridhënie nga ata që opozita konsideron ta kenë shkelur Kushtetutën e Kosovës.
Që të tri partitë opozitare disa herë radhazi, nëpërmjet konferencave për shtyp, prononcimeve për mediet e intervistave, kanë paralajmëruar se 9 janari shënon fillimin e një serie protestash deri në rrëzimin e Qeverisë dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.
Opozita e bashkuar e ka përsëritur vazhdimisht mungesën e legjitimitetit të koalicionit qeverisës pas vendimit të Kushtetueses në lidhje me themelimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë.
Marshi protestues i partive opozitare nis nga Biblioteka Kombëtare në Prishtinë duke filluar nga ora 14:00.
(marre nga Bota sot)