Jahjaga në Gjermani: Progresi në Kosovë, i jashtëzakonshëm

Progresi në Kosovë ka qenë i jashtëzakonshëm, tha Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, sot në një fjalim në Marshall Center në Gjermani. Ajo cilesoi se, ne jemi të vetëdijshëm se më shumë duhet bërë që ta transformojmë Kosovën në një vend të cilin të gjithë e aspirojmë.

 “Politikisht, ne kemi bërë një hap gjigand përpara, por na nevojitet edhe një shtytje për t’u siguruar se investimi në ndërtim të paqes dhe stabilitetit në 20 vitet e kaluara është i pakthyeshëm”, u shpreh Jahjaga.

Po ashtu, Presidentja e Kosovës, Jahjaga tha “Angazhimi aktiv i aleatëve tanë në këtë fazë të ardhshme mbetet esencial për paqen dhe stabilitetin ne Ballkan. Ka akoma punë të papërfunduar dhe duhet të sigurohemi se sukseset e viteve të kaluara do të vazhdohen”.

 “Kosova, ka pasur shumë miq në këtë rrugëtim të suksesshëm të shtetndërtimit  dhe kjo punë e jona e përbashkët ka ndryshuar drejtimin e historisë së Ballkanit. Vetëm 15 vjet më parë Kosova ishte zonë lufte. Sot, Kosova është një burim i paqes dhe stabilitetit dhe kjo duke iu falënderuar vullnetit të pathyer të popullit të Kosovës dhe partnerëve tanë për të jetuar në liri dhe demokraci”, tha Presidentja Jagjaga.

Ajo shprehu kënaqësi që kthehej në Marshall Center si një ish-studente e kësaj qendre dhe si Presidente e Republikës së Kosovës.“Dua të shpreh falënderimin tim kësaj qendre dhe lidershipit vizionar të qendrës për mbështetjen gjatë dekadave dhe ndihmën e dhënë për ndërtimin e themeleve të shtetit tonë të ri”, tha Presidentja e Kosovës, Jahjaga.

SHKARKO APP