Jahjaga: Për të qenë patriot i madh i kombit, duhet të mos jesh i korruptuar

Ashtu si në Shqipëri, edhe në Kosovë korrupsioni vlerësohet në nivele alarmante.  Kombi shqiptar ka njohur patriotë të shumtë, që kanë luftuar dhe kanë dhënë jetën për të. Ata sigurisht nuk mund të krahasohen me zyrtarë të korruptuar që ndonjëherë, kur ka ndonjë ndeshje futbolli apo festë patriotike, janë të parët që vrapojnë që të tundin flamurin kuqezi.

Por për numrin një të shtetit të Kosovës,  patriotizmi më i madh është të mos jesh i korruptuar.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, theksoi sot se ekziston vullneti politik për luftën ndaj korrupsionit dhe tani është koha për rezultatet e këtij vullneti.

Gjatë mbajtjes së takimit të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, Jahjaga tha se vonesat në rastet e korrupsionit po zbehin besimin e qytetarëve në institucionet Kosovës.

Jahjaga tha se nuk ka patriotizëm me të madh për shtetin dhe të ardhmen e tij, se sa deklarimi dhe vërtetimi i korrupsionit.

“Në planin afat shkurtër dhe afat mesëm është e domosdoshme të luftohet korrupsioni në shëndetësi dhe arsim, dy shtyllat kryesore të përmirësimit të standardit të jetës së qytetarit në Kosovë”, tha Jahjaga.

Ndërsa Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, u shpreh se si shoqëri nuk kanë krijuar kritere morale as ligjore për ta luftuar korrupsionin.

Ai tha se nuk luftohet korrupsioni duke kërkuar peshq të mëdhenj, pasi sipas tij peshk i madh është secili që bënë korrupsion.

Mustafa, shtoi se duhet ta luftojmë korrupsionin edhe në institucione edhe në agjenci të pavarura që ta zhdukim këtë dukuri.

SHKARKO APP