Jahjaga: Qytetarët e Kosovës gjetën te SHBA-të mbështetje e besim për liri e pavarësi

 

 Në Prishtinë u zhvillua sot ceremonia e përurimit të fillimit të ndërtimit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ishin të pranishëm përfaqësuesit e institucioneve më të larta të Kosovës, si dhe përfaqësues të ambasadave në Kosovë.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në fjalën e rastit, duke iu drejtuar kryeministrit Mustafa, kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, ambasadores së SHBA-ve, Tracey Ann Jacobson, e të pranishmëve tjerë të tha se “kam nderin dhe privilegjin që sot bashkë me ju të përuroj vënien e gurthemelit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës”.

Ky moment, vijoi ajo, shënon fillimin e ndërtimit të shtëpisë tuaj të përhershme në Kosovë, në shtetin tonë të ri qytetarët e të cilit u janë përjetësisht falënderues dhe mirënjohës për rolin e guximshëm dhe historik që keni në bërjen e Kosovës shtet.

“Bashkë kemi bërë goxha një udhëtim. Qëndruat përkrah nesh në momentet më sfiduese të shekullit të kaluar dhe bashkërisht nisëm një kapitull të ri të shpresës dhe optimizmit në fillim të këtij shekulli për të kurorëzuar përpjekjet tona për Kosovën shtet të të gjithë qytetarëve të saj shtatë vite më parë”, theksoi Presidentja kosovare.

Ajo u shpreh me shumë mirënjohje se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës qytetarët e Kosovës gjetën mbështetjen dhe besimin për realizimin e vizionit tonë për liri, pavarësi e demokraci. “Përkundër shumë vështirësive, vullneti ynë i përbashkët triumfoi ndaj të keqes dhe sot si dy popuj që ndajnë vlerat fondamentale dhe idealet e demokracisë shënojmë edhe një fillim të ri – atë të vendosjes së adresës tuaj permanente si simbol i qëndrueshmërisë”, përfundoi Jahjaga.

SHBA-të janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Prishtinë. Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë, para 19 viteve, në 6 qershor 1996, që u bë nga Nënsekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, shënoi vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta.

Fillimisht, Zyrtari i USIA-as (Agjencia Informative Amerikane), Majkëll Mekllellën (Michael McClellan) më 22 maj 1996 ka mbërritur në Prishtinë për të udhëhequr punët në hapjen e Zyrës së këtij shërbimi.

Ishte kjo përfaqësia e parë e një shteti në Kosovë, hapja e së cilës ishte festë për kosovarët dhe u përjetua si një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për të ardhmen, ashtu siç raportonte korrespondenti i ATSH-së, në Prishtinë para 19 viteve.

Ndërsa, në mëngjesin e pas natës historike të 24 marsit 1999 të ndërhyrjes shpëtimtare së NATO-s për Kosovën e popullin e saj, korrepondenti i ATSH nga Prishtina ka raportuar edhe se se forcat serbe gjatë natës kishin bërë sulme dhe vrasje të tjera në familjet dhe vendbanimet shqiptare, kishin djegur edhe selitë e institucioneve të rëndësishme kosovare e ndërkombëtare, përfshirë zyrat që ndodheshin në një shtëpizë shkrimtarësh që ishte bërë seli e Presidencës dhe e institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht dhe Zyrën e SHBA-së në Prishtinë.

Në terrin e natës dhe të okupimit të egër, drita e shpërthimeve nga goditjet e aviacionit të NATO-s nga qielli shihej si një shpresë e besim për të ardhmen e ëndërrave për lirinë e paqen derisa në Kosovë kishte marrë përmasa gjenocidi terrori i spastrimit etnik kundër shqiptarëve.

“Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodh në Kosovë, është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksonte në atë ditë e orë historike, Presidenti i SHBA-së, Bill Clinton (të cilit në Kosovën e lirë i është ngritur përmendore në Prishtinë), derisa nga Shtëpia e Bardhë i drejtohej kombit amerikan, duke folur për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të NATO-s.

SHKARKO APP