Jahjaga: Së shpejti aplikojmë për anëtarësimin e vendit në Këshillin e Evropës

 

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, deklaroi sot se së shpejti Kosova do të aplikojë për anëtarësimin e vendit në Këshillin e Evropës.

“Është e pakuptimtë dhe plotësisht e padrejtë që qytetareve të Kosovës u mohohet qasja në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, por kjo mundësohet me anëtarësimin e vendit në Këshillin e Evropës, ku Kosova do të aplikojë së shpejti”, theksoi Jahjaga gjatë fjalës së saj në Institutin e Prishtinës për Studime Politike.

Sipas saj, anëtarësimi në Këshillin e Evropës, do t’iu lejojë qytetarëve të Kosovës, të të gjitha komuniteteve, t’i drejtohen Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut në Strasburg si instancën e fundit pasi t’i kenë përfunduar mjetet juridike në Kosovë.

“Është e pakuptimtë dhe plotësisht e padrejtë që qytetarëve të Kosovës u mohohet qasja në një mekanizëm kaq të rëndësishëm të të drejtave të njeriut. Këto argumente kanë përbërë boshtin kryesor të diskutimit që në shtator të vitit të kaluar, në prag të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York, kam zhvilluar me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland, ku kam kërkuar fuqizimin e bashkëveprimit ndërmjet Kosovës dhe Këshillit të Evropës”, theksoi Jahjaga.

Në atë takim, vijoi ajo, që ka qenë edhe hapi i parë që i ka hapur rrugë përpjekjeve tona për anëtarësim në Këshillin e Evropës, jemi pajtuar për formalizimin e zyrës së kësaj organizate në Kosovë dhe vazhdimin e punës së grupeve punuese. Që nga ajo kohë, në muajt në vijim, kontaktet institucionale me Këshillin e Evropës janë intensifikuar.

“Deri më tani Kosova ka fituar përkrahjen e mbi dy të tretat e vende anëtare që e njohin Kosovën për t’u anëtarësuar në këtë organizatë. Ne do të aplikojmë për anëtarësim shumë shpejt”, theksoi Jahjaga.

SHKARKO APP