John Kerry viziton Kosovën, në turin e parë ballkanik
John Kerry vjen për herë të parë në Ballkan në pozitën si sekretar i shtetit amerikan.
Ai do të vizitojë Kosovën të mërkurën për të vënë në theks brengën e Perëndimit për hapat e ngadalshëm të përparimit 16 vjet pas sulmeve ajrore, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që i hapën vendit rrugën për pavarësi.
Kosova është duke u përballur me një krizë të thellë politike në raport me marrëdhëniet me shtetin fqinj Serbinë, përballë një frustrimi për mungesë të progresit në demokraci, luftën kundër korrupsionit dhe integrimin në BE, – shkruan Reuters, mbi këtë vizitë.
Shteti me 1.8 milionë qytetarë, shumica dërmuese shqiptarë, fitoi pavarësinë nga Serbia në vitin 1999 pasi Shtetet e Bashkuara kishin udhëhequr një kampanjë 11 javore të bombardimeve për të ndaluar vrasjen dhe keqtrajtimin e civilëve shqiptarë nga forcat ushtarake serbe.
Vendi është mysliman, por mbetet shumë pro-amerikan.
Megjithatë ka shqetësime në Perëndim mbi rrezikun e radikalizmit të të rinjve kosovarë të pakënaqur e të papunë.
Së paku 200 prej tyre besohet se u janë bashkuar militantëve islamikë në Siri e Irak.
Vizita e shkurtër e Kerryt, sipas një zyrtari të lartë amerikan një një prononcim për Reuters, ka për qëllim të “tregojë përkrahjen ndaj procesit të shtet-ndërtimit demokratik, për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe për bisedimet për normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi”.
Këto bisedime që ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian kanë për qëllim që të përmirësojnë marrëdhëniet mes këtyre dy shteteve.
Serbia nuk e njeh ish-provincën e saj si shtet Sovran duke komplikuar kështu rrugën e saj drejt njohjes ndërkombëtare.
Aleati i fuqishëm i Serbisë, Rusia dhe pesë shtetet anëtare të BE-s refuzojnë të njohin pavarësinë e shtetit të Kosovës.
Në shkrimin e Reuters thuhet se për javë të tëra Kosova është përfshirë në trazira dhe skena të përsëritura të gazit lotsjellës të hedhur nga opozitarët në Parlament.
Këto protesta – e fundit ndodhi ditën e hënë – kanë si qëllim kundërshtimin e marrëveshjes së propozuar për t’u dhënë serbëve në Kosovë pushtet lokal dhe për t’iu mundësuar atyre që të financohen nga Beogradi.
Opozita beson se hapa të tillë mund ta rrezikojnë pavarësinë e Kosovës.
Analistët thonë se në rajon ka pakënaqësi të mëdha e veçanërisht në Kosovë.