Kadri Veseli: Bashkimi Evropian funksionon me standarde të dyfishta
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli beson që Bashkimi Evropian po funksionon me standarde të dyfishta, pasi për të është e pakuptueshme heshtja e Brukselit ndaj mosnisjes së proceseve për shumë masakra serbe të zbardhura, gjyqeve të zvarritura apo lëna në mes.
Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, Veseli ka thënë se lirimi i parakohshëm i ish-pjesëtarit të njësisë “Akrepat”, Miodrag Sholaja, nga autoritetet e Serbisë, është një akt i turpshëm.
“Kosova nuk duhet të lejojë që historia të manipulohet dhe viktima të barazohet me xhelatin”, ka shtuar ai.
Javën e shkuar, u bë me dije se Miodrag Sholaja, i dënuar për masakrën ndaj civilëve shqiptarë në Podujevë, është liruar me kusht, pasi ka vuajtur dy të tretat e dënimit të tij.
Sholaja ka qenë i dënuar për pjesëmarrje në masakrën e marsit të vitit 1999, ku pjesëtarët e njësisë “Akrepat” qëlluan për vdekje 14 civilë shqiptarë, shtatë fëmijë prej moshës dy deri në 15 vjeç dhe shtatë gra.
Veç tij, Veseli ka përmendur edhe rastin e Sasha Cvjetanit, i cili po ashtu ishte liruar nga burgu pa përfunduar dënimin e tij. Cvjetan ka qenë një tjetër anëtar i njësisë “Akrepat” i dënuar me 20 vjet burg.